E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Në Kuvend vetëm për të shpëtuar mandatet

Kreu i PS-së zbardh planin: Bojkoti i Parlamentit do të vazhdojë, mandatet e deputetëve nuk do të digjen

Ashtu siç pritej, Partia Socialiste nuk ka ndërmend ta zgjasë pafundësisht bojkotin e Kuvendit dhe të rrezikojë humbjen e 64 mandateve të deputetëve që ka marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Por skema se si do të shpëtohen mandatet, duket se është e thjeshtë dhe kontradiktore në vetvete, betim në Kuvend dhe rivazhdim i bojkotit. Kreu i PS-së Edi Rama e ka pranuar dje për “Zërin e Amerikës” se nuk do të digjen mandatet, pavarësisht se nuk ka dashur të shpjegojë modalitetet se si do të shpëtohen këto mandate. Por ai ka pranuar gjithashtu se bojkoti do të vazhdojë derisa nuk do të negociohet me marrëveshje me mazhorancën hapja e kutive të votimit. I pyetur shprehimisht nga “Zëri i Amerikës”: “A ekziston mundësia e hyrjes së Partisë Socialiste në Parlament për të bërë betimin, teorikisht a ekziston kjo mundësi, e përjashtoni ju nga skema juaj e mosdjegies së mandateve?”, Rama është përgjigjur: “Unë kam thënë se mandatet nuk do të digjen dhe se si kjo do të ndodhë ka pak rëndësi, rëndësi ka që bojkoti i Parlamentit nuk do të ndërpritet deri në realizimin e qëllimeve tona dhe në arritjen e objektivit madhor, që Shqipëria të mos ketë më zgjedhje maskaradë si ato të 28 qershorit”. Pas këmbënguljes së gazetarit nëse e pranon teorikisht një skemë të tillë, betim pastaj bojkot, Rama u shpreh: “Ato mandate nuk do të digjen, modalitetet janë një çështje krejt e parëndësishme, ndërkohë që ajo që mbetet e rëndësishme është thelbi i çështjes”. Ndërkohë, Rama, i cili ndodhej në Uashington gjatë intervistës, nuk ka hezituar të flasë me gjuhën e ashpër politike që përdor në Tiranë duke akuzuar Sali Berishën, Ilir Metën dhe Fatos Nanon si projektues të debatit në media për djegien e mandateve. “Këtu kemi të bëjmë përsëri me një telenovelë e cila është inspiruar dhe sponsorizuar nga Sali Berisha, me ndihmën e Ilir Metës, me ndihmën e Fatos Nanos nga mbrapa kuintave, me ndihmën e një pjese dërrmuese të organeve të shtypit që e kanë bastarduar misionin e tyre, për ta kthyer këtë histori në një histori, u dogjën - s'u dogjën mandatet”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›