“Bojkoti, shkelje e demokracisë, Rama të rikthejë opozitën në sallë para se të digjen mandatet”

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, fton opozitën të futet në Kuvend Shumica parlamentare vazhdon të vlerësojë si tejet të dëmshëm dje jashtë çdo konteksti demokratik bojkotin e ekzagjeruar të pakicës së Edi Ramës. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, duke i bërë apel PS-së për një rikthim të mundshëm dhe të shpejtë në parlament, thekson se “ata janë përfaqësues të popullit dhe për këtë duhet ti përfaqësojnë në sallën e Kuvendit, për të shmangur djegien e mandateve, çka pritet të sjellë edhe zëvendësimin e deputetëve”. Këtë deklaratë Pollo e bëri gjatë një fjalimi që mbajti në përkujtimin e 90 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e përvjetorit jubilar. “Nëse evokojmë Kongresin e Lushnjës, është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend. Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920. Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë”, u shpreh ministri i Shtetit, Genc Pollo. Bojkoti institucional i opozitës është bërë tema politike ditore, pasi për vetë faktin e organizimit dhe demostrimit të saj, përbën një rast unik dhe jashtë çdo lloj morali dhe etike demokratike. Edi Rama, paralajmëroi edhe mbrëmë se nuk ka ndërmend që të legalizojë partinë e tij, pa u marrë më parë në shqyrtim kërkesat, të cilat për fat të keq janë jo vetëm antiligjore, por edhe cënojnë rendim demokratik në Shqipëri....