PS, politikë me dy standarde, fillimisht dënoi vendimin për rritjen e pagave, tani i kundërvihet edhe shkurtimit të shpenzimeve

Dy vendimet më të rëndësishme të qeverisë të javës së kaluar, për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe shkurtimin e shpenzimeve, për t’i paraprirë efekteve të krizës ekonomike globale, janë kthyer në shënjestrën e axhendës ditore politike të opozitës shqiptare. Ish ministri i Financave Arben Malaj, u shpreh dje përmes një deklarate emocionale dhe pa fijen e logjikës, se qeveria nuk duhet të kishte marrë një vendim të tillë, në një kohë kur homologët e tij dënuan më herët rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Një qeveri që shkurton me 9.5 përqind shpenzimet në total, por me 27 përqind investime nuk është vetëm se populiste. Kjo është masa më e keqe që mund të merret dhe pasojat negative për ekonominë do të ndihen vitet në viji”- tha Malaj.
Malaj vëren se keqmenaxhimi i financave publike e ka zhytur ekonominë në një rreth vicioz ku njëra krizë ushqen tjetrën. Qëndrim ky jo vetëm i pabazë, por njëherazi një gënjeshtër e mirëfilltë, po të kemi parasysh se partia opozitare jo vetëm nuk ka marrë pjesë në asnjë prej vendimeve të mazhorancës për shpëtimin e financave, por përkundrazi është munduar si kurrë ndonjëherë, t’i sulmojë ato dhe të përhapë panik.
“Ndërsa rritja ekonomike nuk do të jetë në nivelet që kishte parashikuar qeveria shpenzon në mënyrë jo efiçente. Ka rritur borxhin, ka rritur defiçitin dhe ka rritur edhe koston e parasë në ekonomi”, vijon më tej eksperti i opozitës.
Fakti që qeveria nuk arriti të marr borxh në tregun ndërkombëtar, në një kohë që gjendja në ekonomitë e eurozonës mbetet e paqartë, për ekspertin e opozitës parlajmëron kohë të vështira për ekonominë shqiptare. Por, faktet dhe të dhënat flasin të kundërtën. Ekonomia shqiptare po shkon drejt një ere të re zhvillimi, të cilën s’mund ta ndalojë as opozita dhe as Edi Rama.