Bojkotojeni Kuvendin

Duke e vënë në zbatim Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovë, nga 10 dhjetori, ka ndryshuar protokolli i pranisë së përfaqësuesve të mediave në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësuesit e mediave vendosen në këndin për gazetarë dhe nuk mund të lëvizin, pa leje, nëpër ndërtesën e Kuvendit. Seanca për fotografim dhe xhirim të pamjeve zgjat pesë minuta. Një punonjës i Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun do të kujdestarojë në këndin për gazetarë si ndërlidhës ndërmjet përfaqësuesve të mediave dhe deputetëve.
AGPK përkujton se kjo rregullore është miratuar në Kryesinë e Kuvendit, nga të gjitha subjektet politike parlamentare, dhe si e tillë tregon se ato nuk janë të interesuara për të krijuar kushte për punën e gazetarëve.
Me këtë rast AGPK shpreh gatishmërinë që me Kryesinë e Kuvendit ta diskutojë qasjen e gazetarëve në ambientet e parlamentit, për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për gazetarët.
AGPK në konsultim më anëtarët gazetarë në të gjitha mediat e Kosovës, vlerëson se rregullorja është diskriminuese dhe pengon punën e gazetarëve. Si e tillë ajo duhet të shfuqizohet dhe të hidhet në shqyrtim.
AGPK në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe me institucione tjera vendëse e ndërkombëtare, ka shprehur kundërshtimin për këtë rregullore.
Përmbajtja e këtij dokumenti është hartuar pa e marrë parasysh vullnetin e gazetarëve dhe kontributet e tyre në disa punëtori gjatë hartimit të rregullores.