Jeremiq: Nuk ndryshojmë politikën ndaj Kosovës

Ai këto komente i bëri të mërkurën në takimin “Serbia dhe BE - Quo Vadis”, me ç’rast mos marrjen e statusit të kandidatit për BE e arsyetoi, me siç u shpreh ai, se nga Serbia është kërkuar në mënyrë eksplicite që të heqë dorë nga Rezoluta 1244 kur bëhet fjalë për prezantimin rajonal të Kosovës.
“Serbia nuk planifikon që në asnjë mënyrë të shuajë zërin e Prishtinës në forumet rajonale. Por, pala tjetër insiston që kjo të mos jetë çështje e pjesëmarrjes, por e anëtarësimit, kurse ne nuk mund të pranojmë”, ka thënë Jeremiq.
Serbia ka dështuar të marrë statusin e kandidatit për BE në muajin dhjetor, për shkak të kundërshtimit nga ana e Gjermanisë, ushtarët e së cilës në kuadër të KFOR-it janë plagosur nga serbët e rebeluar në veri gjatë heqjes së barrikadave.
Këshilli i ministrave i BE-së do të marrë vendimin në mars të vitit të ardhshëm nëse Serbisë do t’i jepet statusi i kandidatit, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të shikohet nëse Serbia po implementon marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Ndryshe, nënkryetari i Qeverisë serbe, Bozhidar Gjeqliq menjëherë pas dështimit të marrjes së statusit kandidat më 9 dhjetor, pat dhënë dorëheqje, ndërsa më vonë kishte deklaruar se nuk ka garanci se Serbia do të marrë statusin e kandidatit as në muajin mars.