E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia europiane e Zamputtit

Drama njerëzore e profesionale të njeriut që u bë vetmi lëvrues i një historie thuajse të panjohur. Edhe falë tij, historia e Shqipërisë në shekujt e sundimit osman mbeti një histori evropiane dhe nuk u katandis në një kronikë provinciale otomane.

17 vjet më parë Injac Zamputti do të çonte në shtyp veprën dhe pengun e fundit të tij: "Fishta: koha, njeriu, vepra". Një titull që shpreh fuqishëm bindjen e autorit se ekzistenca njerëzore varet në mënyrë fatale nga ndërthurja e këtyre tre faktorëve.

Dhe ja sot, 100-vjetori i lindjes, bashkë me nderimin e përkujtimin e merituar, na jep rastin ne kolegëve, miqve e nxënësve të tij, të bëjmë një përpjekje të parë për t'ju qasur kësaj radhe kohës, veprës, njeriut Injac Zamputti.

Jeta dhe vepra e Injac Zamputtit ka pasur ato përthyerje të forta, që ka pasur jeta dhe vepra e plot e plot intelektualëve e dijetarëve të klasit e të sërës së tij: mes tyre është rasti të kujtoj të paharruarin Pashko Gjeçi, që na la para pak ditësh.

Personaliteteve të tilla u qëlloi të jetojnë e të veprojnë jashtë kohës së tyre, në kushte shtrëngese e trysnie intelektuale e morale. Megjithatë, askush nga ata që e kanë njohur, nuk do të thoshte se ka parë ndonjëherë tek Injac Zamputti njeriun e ligështuar, të dëshpëruar, të demoralizuar.

Ne kemi e do të kemi gjithnjë përpara syve fytyrën e qeshur, diellore të një njeriu që kishte aftësinë e veçantë të sublimohej, të ngrihej mbi vogëlsitë e kësaj bote dhe të kapej pas vlerave të mëdha, që për të ishin: puna, familja, atdheu. Do mund të shtoja: edhe feja. Por nuk di ta them nëse ka qenë dhe sa ka qenë besimtar Injac Zamputti. Besimi ka qenë çështje intime e atij vetë.

Di që tek ai dhe tek familja e tij, besimi nuk ka qenë një arsye për t'u ndarë e për t'u veçuar nga të tjerët, nga "të ndryshmit", por një urë për t'u lidhur e për t'u miqësuar me ta. Historia e tij dhe e familjes së tij, është prova e gjallë e një perceptimi liberal e përbashkues të fesë.

Injac Zamputti ofronte padyshim profilin e rrallë të një intelektuali gjithëpërfshirës: shkrimtar, përkthyes, tekstolog, botues, gjuhëtar, etnolog, paleograf e sigurisht historian. Megjithëse i ndarë mes kaq shumë pasionesh, si profesion të zemrës e të penës ai zgjodhi pikërisht historinë, e cila më shumë se çdo disiplinë tjetër lejon e kërkon një qasje sintetike ndaj dijes.

Dhe zgjodhi të hulumtojë historinë e Shqipërisë së shekujve XVI-XVIII, një terren thuajse i pashkelur, që në kohën e tij konsiderohej si "një mesjetë më e errët se vetë mesjeta".

Në fakt, deri në vitet 60-të të shekullit XX, ende nuk kishin filluar të dilnin në dritë burimet osmane për historinë e Shqipërisë dhe Injac Zamputti ishte i vetmi lëvrues i një historie thuajse të panjohur.

Si askush tjetër përpara tij, ai theu stereotipin e "500 vjetëve errësirë" apo të "500 vjetëve të humbur" të historisë sonë, që e dëgjojmë shpesh sot e kësaj dite. Mbi bazën e një dokumentacioni të gjerë, të vlerësimit e interpretimit të tij, Injac Zamputti provoi se pushtimi osman i shek. XV nuk shënon për Shqipërinë "fundin e historisë".

E më tej, "ikja e madhe" që pasoi vdekjen e Skënderbeut në 1468 e rënien e Shkodrës në 1479, nuk la pas një vend të zbrazur: nëse të shumtë qenë ata që lanë atdheun për t'i shpëtuar zgjedhës osmane, akoma më të shumtë qenë ata që qëndruan, që jetuan e luftuan, duke i dhënë vazhdimësi procesit historik në këtë vend.

Kështu, pra, na mëson Zamputti, periudha e pas shek. XV nuk është një "gollë" në këtë proces historik, është thjesht një etapë, vërtet e trazuar e plot me rreziqe, shpesh edhe të natyrës ekzistenciale, por gjithsesi një etapë që prodhoi edhe ajo historinë e saj.
I armatosur me një dokumentacion të pasur e të panjohur historik, Injac Zamputti tregoi se shqiptarët e shek. XVI-XVIII, myslimanë apo të krishterë, vazhduan të ishin e të ndjeheshin pjesë e të njëjtit komb, vazhduan të jenë bashkë në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në të njëjtin fshat, madje të banojnë në të njëjtën shtëpi, madje-madje të prehen në të njëjtën varrezë; vazhduan të jenë të bashkuar në ndjenja si ndaj njëri-tjetrit, ashtu edhe ndaj të huajit.

Vepra e Injac Zamputtit u rrek të provonte se pushtimi osman nuk shënoi ngritjen e "perdes së hekurt" në këtë anë të Adriatikut, dhe këputjen e lidhjeve tradicionale të botës shqiptare me botën perëndimore.

Punimet e shumta, bashkë me materialet e bollshme burimore të qëmtuara e të botuara prej tij me entuziazmin e një fatosi e përkushtimin e një murgu, provuan më së miri se në të ashtuquajturit "shekuj të errësirës", shek. XVI-XVIII, shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre më të ndriçuar, qofshin të besimit katolik, ortodoks apo mysliman, vazhdonin të ishin të orientuar nga Evropa, nga një Evropë e kuptuar jo thjesht si një alternativë, por e kuptuar dhe e ndjerë si një përkatësi, si një identitet.

Në penën e Injac Zamputtit, historia e Shqipërisë vazhdonte të zhvillohej në lidhje të ngushtë me Republikën e Venedikut e me atë të Raguzës, me mbretërinë e Napolit apo me atë të Spanjës, me mbretëritë e Francës, Gjermanisë, Hungarisë e sigurisht me Papatin. Është edhe falë tij, që historia e Shqipërisë në shekujt e sundimit osman mbeti një histori evropiane dhe nuk u katandis në një kronikë provinciale otomane.

Pra, Historia e Shqipërisë si një histori evropiane. Por kjo ishte shumë, kjo ishte një rendje përtej kohës. Pikërisht në këtë moment, në mesin e viteve '60, kur prodhimtaria shkencore e Injac Zamputtit kishte arritur kulmin, ndodhi edhe përplasja fatale midis faktorit njeri, në rastin tonë të mishëruar në figurën e një studiuesi të lirë e plot integritet, dhe faktorit kohë, të kuptuar si sistem politik e shkollë historiografike.

Duke evidentuar karakterin evropian të historisë së shqiptarëve, ai kishte rënë ndesh me orientimin ideologjik të kohës, që rrekej ta paraqiste Shqipërinë si një pjesë të sistemit Lindje.

Shënim
Teksti është nxjerrë nga një shkrim më i gjatë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›