Boll më...

Gjykata rrëzon prokurorinë: Ska zgjatje hetimi për Durrës-Kukës
TIRANË - Prokuroria ka shkelur ligjin, duke zgjatur afatin e hetimeve për dosjen “Durrës-Kukës” dhe për këtë arsye, çdo veprim hetimor i kryer pas datës 6 nëntor do të shpallet i pavlefshëm. Ky ishte arsyetimi i gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Sokol Tona, mbi kërkesën e të pandehurve të çështjes, Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët kundërshtuan zgjatjen e afateve të hetimit nga ana e organit të akuzës. Teksa prokurori i çështjes priste shpalljen e moskompetencës nga Gjykata e Shkallës së Parë për shkak të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i cili është person nën hetim, gjykata vendosi të shpallë të pavlefshëm vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm për zgjatjen e hetimeve për një muaj. Vendimi i djeshëm i gjykatës, sipas ekspertëve, do të thotë që të gjithë veprimet e kryera nga organi i akuzës pas datës 6 nëntor, kur është marrë edhe vendimi i zgjatjes së afateve, shpallen të pavlefshme, por gjithçka mbetet e hapur deri në vendimin e Gjykatës së Apelit. Prokurori i çështjes, i pranishëm gjatë seancës së djeshme, nuk pranoi të komentojë vendimin e gjykatës, duke thënë se do ta apelojë çështjen. Ndërsa Armand Teliti, tashmë i pandehur për abuzim me detyrën, pas përfundimit të seancës deklaroi se është i gatshëm të përballet me çdo vendim të organit të akuzës, pasi e ndjen veten të pafajshëm. Zyrtarisht, sipas Gjykatës së Tiranës, vendimi për zgjatjen e afateve të hetimit për një çështje që ndodhet në prokurori që nga marsi i vitit të shkuar është i ekzagjeruar, pasi veprimet hetimore duhet të ishin mbyllur që më datë 6 nëntor. Gjykata çmoi se hetimi duhet të konsiderohet i mbyllur që në këtë datë dhe prokuroria duhet të dorëzojë dosjen në gjykatë, e cila do të përzgjidhet në varësi të pozicionit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Sipas burimeve nga gjykata, mësohet se pozicioni i ministrit të Jashtëm në dosjen “Durrës-Kukës” është diskutuar edhe gjatë seancës së djeshme. Prokurori i çështjes ka deklaruar se ish-ministri i Transporteve aktualisht ka statusin e personit nën hetim, pasi ka qenë e pamundur marrja e vendimit përfundimtar, për shkak të angazhimeve publike të tij. Ndërsa pala mbrojtëse nga ana e saj argumentoi se organi i akuzës ka pasur kohën e mjaftueshme për hetimin e kësaj dosjeje, por realisht një gjë të tillë nuk e ka bërë. “Në mënyrë abuzive, prokuroria zgjat afatet e hetimit për një çështje që tashmë duhet të ishte mbyllur”, - mësohet të jetë shprehur avokati i të pandehurve Toma dhe Teliti, gjatë fjalës së tij. Por, mesa duket, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i vënë nën akuzë nga opozita për abuzime me fondet publike, ndoshta do të vazhdojë “të ruajë” statusin e personit nën hetim edhe pas përfundimit të hetimeve, pasi deri më datë 6 nëntor, kur duhet të ishin mbyllur zyrtarisht hetimet, organi i akuzës ende nuk kishte kristalizuar mendimin për pozicionin e Bashës. Vendimi i djeshëm i gjykatës ndoshta është një ogur i mirë për ish-ministrin e Transporteve, i cili me shumë mundësi mund të dalë pa akuzë nga “historia prej 1 miliard eurosh”.