E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 kamionë kontrabandë

Procedim penal për drejtuesit e doganës dhe të policisë. Ishin në dijeni për lëvizjet pas orës 22:00 Përgjimet e doganierëve të arrestuar tri ditë më parë zbuluan aferën. Hetimet drejtohen nga prokurori Sokol Nishani

Më shumë se 100 kamionë me mallra të pazhdoganuar kanë kaluar nga porti i Durrësit vetëm në 11 muajt e fundit. Punonjës të doganës dhe policisë kanë bashkëpunuar për të realizuar këtë veprimtari të paligjshme, duke shfrytëzuar orët e vona të natës, kur orari zyrtar i punës konsiderohej i mbyllur. Superafera korruptive është zbuluar nga prokuroria e rrethit bregdetar, gjatë hetimeve që kanë nisur pas arrestimit tri ditë më parë të dy punonjësve të doganës.

Burimet zyrtare konfirmuan dje, se një procedim penal ka nisur ndaj drejtuesve më të lartë të portit të Durrësit, doganës dhe policisë së këtij porti, pasi dyshohet se ata kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve dhe kontrabandës që bënin vartësit e tyre. Grupi hetimor që drejtohet nga prokurori Sokol Nishani ka nisur punën për të zbardhur këtë superaferë, në të cilën mendohet se janë përzier shumë punonjës shtetërorë.

Përgjimet

Zanafilla e zbulimit të kësaj kontrabande është bërë prangosja e dy punonjësve të doganës së Durrësit. Ilir Mujani dhe Dashamir Leka u arrestuan në flagrancë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi kishin penguar në mënyrë të paligjshme një shtetas që të nxirrte nga porti makinën e tij. Por duket se, përpara se të ndaloheshin nga uniformat blu, ata kanë qenë në përgjim nga ana e prokurorisë, e cila po hetonte denoncimin e bërë ndaj tyre. E pikërisht nga këto përgjime hetuesit kanë zbuluar se çfarë ndodhte në njërën nga doganat më të mëdha në vend. Duket se të dy doganierët kanë vazhduar të nxjerrin nga goja “xhevahire” edhe pasi janë prangosur dhe janë dërguar në ambientet e Komisariatit të Durrësit. Kjo ua ka bërë edhe më të qartë situatën hetuesve, të cilët tashmë kanë nisur punën për dokumentimin e kësaj superafere.

Kontrabanda

Gjatë orarit të punës, 07:00-22:00, punonjësit ishin të rregullt dhe puna në doganë vijonte normalisht. Por sapo akrepat shkonin 22:00 dhe orari zyrtar mbyllej, niste kontrabanda. Sipas të dhënave të mbledhura deri tani nga prokurorët, rezulton se më shumë se 100 kamionë me mallra të ndryshëm janë futur gjatë këtij viti nga porti i Durrësit në vendin tonë. Të gjithë mallrat nuk u janë nënshtruar procedurave të zhdoganimit dhe mendohet se drejtuesit e portit kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve që kryheshin aty. 

Siç bëjnë të ditur burime konfidenciale të “Korrierit”, puna është përqendruar në përcaktimin e rolit të këtyre drejtuesve në këtë superaferë, pasi mendohet se ndonjëri prej tyre ka pasur edhe rol drejtues. Të njëjtat burime thanë se prokuroria ka kërkuar filmimet e kamerave të sigurisë që funksionojnë gjatë gjithë kohës në portin e Durrësit, për të vërtetuar veprimtarinë e jashtëligjshme, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e punonjësve që janë implikuar në këtë aktivitet.

Prangosja e doganierëve

Një veprim rutinor, ndonëse i paligjshëm, duket se është bërë shkak për zbulimin e një korrupsioni me përmasa gjigante në portin e Durrësit. Doganierët Ilir Mujani dhe Dashamir Leka i kishin bllokuar padrejtësisht automjetin tip “Audi” me targa BV 399 NT një shtetasi, emri i të cilit nuk është bërë publik as nga policia dhe as nga prokuroria. Ata nuk e kanë lejuar atë që të dilte nga territori i portit, megjithëse ligjërisht nuk kishte asnjë pengesë. Për dy punonjësit e shtetit kjo ka qenë diçka normale, megjithëse në kundërshtim të hapur me detyrën e tyre. Por i prekuri nga kjo padrejtësi nuk e ka kaluar kaq lehtë këtë gjë dhe i është drejtuar prokurorisë, për të bërë denoncimin përkatës. Prokurorët e kanë vlerësuar si duhet denoncimin dhe kanë nisur verifikimet përkatëse. Gjatë kësaj kohe mendohet se ka nisur edhe përgjimi i dy doganierëve. Pas verifikimeve të nevojshme, ka rezultuar se dokumentacioni i mjetit ishte i rregullt dhe se pengesat ishin bërë në kundërshtim me rregulloret përkatëse të doganës. Menjëherë për të dy doganierët u bënë gati prangat dhe të shtunën ata e kaluan natën në qelitë e Komisariatit të Policisë së Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›