E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bolla e zezë" e Himarës



Juli Xhokaxhi
Është ndeshur hershëm në një prej batutave të kinemasë shqiptare: operacioni "Bolla e zezë". Është diku në një film të epokës së kinostudios "Shqipëria e re", madje një film që fokuson ngjarje të Luftës së Dytë Botërore. Thënë ndryshe, një kohë e shkuar, për një kohë të largët. Por s'di pse kohët, herë pas here, konvergojnë. Ose më mirë rikonfirmojnë dukuritë e të gjitha kohërave. M’u kujtua thënia e atëhershme e personazhit për operacionin e koduar, kur ripashë rishfaqjen në media të dukurisë "Bollano". Një mbiemër jo shumë i ndeshur, që duket se është edhe arma më e fuqishme e këtij njeriu, për ta quajtur veten "grek të kulluar" nga potami. Në fakt historia e proedhros Bollano është veç një prej ylberkapërcimeve shqiptare të postvitit '90. Një anonim, të cilin vetëm mbiemri e bashkon me Himarën, me një të shkuar mekaniku diku pranë Lushnjës, duket se nuk e ka pasur aspak të vështirë të marrë drejtimin e një prej qytezave më të bukura të bregdetit. Dhe ndoshta që këtu duhet parë virtuoziteti i zanatliut Bollano për të përpunuar situatat sa herë që është nevoja. Madje ndonjëherë edhe kur ajo nuk është. I ardhur pas shumë vitesh në Himarë, Bollano duket se nuk dinte shumë gjëra për të, kur nuk ka ngurruar asnjëherë ta quaj perlëzën e Jonit si greke. Ai ose ka harruar, ose nuk e di fare (dhe kjo është e besueshme nga niveli i tij intelektual), që pikërisht në ato brigje Neco Muko i famshëm i këndoi shqip vajzës së valëve dhe polifonia labe bëri dhe bën epokë me Lefter Çipën e zërin e Katinës. Por nuk kemi arsye t'i hyjmë më thellë fakteve historike apo vlerave kulturore për të përligjur qenësinë shqiptare të tokës së brigjëzuar prej Jonit. Nuk vlejnë analizat e thella për të hedhur poshtë pretendimet absurde të "qytetarëve" të tillë që vetëm pas viteve '90 dhe pensioneve "dhoro" u kujtuan për origjinën dhe mësuan se ekzistojnë edhe terma si "të drejtat e njeriut", që na u qenkëshin shkelur këtu në Shqipëri.
Një gjë me siguri kryebashkiaku i Himarës (tanimë edhe kryetar i OMONIA-s) e ka kuptuar; që mund të bëhet faktor në çdo moment që të dojë, e madje të pështjellojë pa ndonjë mund të madh deri edhe shtresën e lartë të politikës shqiptare. Dhe kësaj ia arrin me sukses. Më erdhi keq për irritimin e avokatit këtë fillimjave në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Jo se nuk kishte të drejtë, por përse duhet të shpenzojë kaq shumë energji për një Bollano nga Himara, merita e vetme e të cilit në jetë është origjina e tij greke (të paktën me letra). Keqardhja m'u shtua duke dëgjuar deklaratat e zjarrta të zotit Ceka, znj.Dade, madje edhe të të urtit Godo në këto ditë, të cilët i kërkojnë me urgjence kryeministrit, e deri edhe presidentit, të reagojnë. E perse duhet të reagojë kryeministri, e aq me tepër presidenti?! A kemi kaq kohë vërtet për t'i kushtuar një kryebashkiaku të vockël me deklarata e reagime publike? Për ç'merita duhet ta nderojmë kaq shumë këtë njeri?! Fare thjesht ky Bollano duhet hequr prej andej! Kush është ky për të cilin duhet të shpenzohen kaq shumë energji, minuta televizive apo faqe gazetash?! Askushi.... E atëherë? Çfarë pengon shkarkimin nga posti i kreut të Bashkisë së Himarës së këtij njeriu që kujton se sfidon me deklarata qesharake, duke rrëfyer haptazi më tepër sesa tendencat reale, padijen e tij, duke e paralelizuar Himarën me Kosovën, apo duke pretenduar autonomi?
Jam vërtet kurioze të shoh se me sa patos do të ulërinin për patridhën e tyre ata njerëz që pak net më parë kërkuan të mbroheshin nga policia greke në Himarë, sikur vërtet të ishin pjesë e shtetit grek! Vërtet mund të besojnë kaq naivisht se janë të rëndësishëm për fqinjët tanë, që as si kushërinjtë nga fshati nuk i shohin kur shkojnë e kryejnë punët më të rëndomta dhe ata vetë pohojnë se nuk përfillen aspak, pavarësisht kartave që disponojnë! Politikat nacionaliste të disa qarqeve greke dhe praktikat e përdorura prej tyre janë sa të njohura, aq edhe të papërfillshme për shekullin në të cilin jetojmë! Synimet dhe përdorimi i një tipi si Bollano në operacione të tipit "Bolla e zezë" për realizimin e tyre janë fare të qarta dhe këtë nuk ka marrë kush mundimin ta fshehë... E deri këtu edhe toleranca e shtetit shqiptar është e kuptueshme për hir të shumë gjërave që na mbajnë lidhur, por edhe për shkak të sigurisë për pamundësinë e realizimit të këtyre "planeve". Po ajo që nuk po kuptohet apo po anashkalohet është vetëpërdorimi i këtij tipi, që lëshon shashka, i bindur se po hedh fishekzjarrë që shihen deri në Greqi, për t'u kujtuar pikërisht "financuesve" se ai po punon, e duke mbjellë e përhapur në një kohë shumë të shpejtë atë lloj pështjellimi nervagricës, që po kemi rastin ta shohim edhe këto ditë në mediat shqiptare.
Ky personazh i vockël, që guxon të tentojë protagonizmin, është tipiku i atij të të madhit Dritëro, kur hodhi vargjet e njohura për budallanë, që teksa vërtitej rreth një pellgu rrëmbeu një gur dhe e hodhi mes tij, duke bërë të mendohen akademikë e profesorë....! Kjo po ndodh vërtet?! Kaq shumë jemi hutuar nga tymëset e Bollës së Himarës sa marrim seriozisht çdo "gur" që lëshon dhe përpiqemi ta analizojmë me përgjegjshmëri! E këtu i duhet thënë boll Bollanos, por jo duke u angazhuar në debate televizive për të, as në analiza të shtypit të shkruar dhe as në deklarime politike, sepse po i japim rëndësinë që nuk meriton e po na bëhet Bolla... Kobër!

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›