E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit publikon koeficientët përfundimtarë për pranimet në universitete



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit ka publikuar dje, koeficientët zyrtarë të miratuar për të gjitha shkollat e mesme në vend për pranimet në universitete. Këta koeficientë janë të nevojshëm për plotësimin e formularit A2, në të cilin do të listohen 10 preferencat për të ndjekur studimet e larta. Janë dy lloje koeficientësh për pranimet në shkollat e larta, pesë koeficientët e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientët e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë.
Pesë koeficientët e llojit të shkollës së mesme
Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për dy e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientët e vendosur nga dega e fakultetit respektivisht llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati.
Dy koeficientët e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë:
Çdo degë e shkollës së lartë shpall gjithashtu parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficientëve të tjerë me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këta koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientët e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.
Pse duhen koeficientët
Koeficientët e lëndëve me zgjedhje janë të vlefshëm për plotësimin e Formularit A1, ndërsa koeficientët për llojin e shkollës së mesme janë të nevojshëm për plotësimin e Formularit A2 që duhet dorëzuar në muajin maj. Skema e pranimit në shkollën e lartë, pra Matura Shtetërore, ka parasysh edhe larminë e shkollave të mesme dhe programit mësimor të tyre. Zbatimi i këtij sistemi koeficientësh reflekton pikërisht këtë larmi për të zbatuar gjithmonë e më mirë parimin e meritës për të shkuar në shkollën e lartë.

10 llojet e shkollave të mesme:
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili i përgjithshëm
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili natyror. (Në këtë grup të përfshihet edhe seksioni dygjuhësh francez në Korçë)
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili Shoqëror (në këtë grup të përfshihen edhe seksionet dygjuhëshe, italian dhe francez, në Tiranë, Shkodër dhe Korçë)
Shkolla Teknike Ekonomike 5-vjeçare
Shkolla Teknike Profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare
Shkolla Social-Kulturore e Gjuhëve të Huaja
Shkolla Social-Kulturore Artistike dhe Sportive
Shkolla Social-Kulturore Pedagogjike (4-vjeçare)
Shkolla e Mesme e Përgjithshme me Kohë të Shkurtuar
Shkolla Teknike-Profesionale me Kohë të Shkurtuar, që kanë dhënë provimet e Maturës Shtetërore

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›