Ushqimi i zgjedhur ul dëmtimet e zemrës dhe të trurit
Ushqimi i zgjedhur mund të ulë rrezikun e prekjes nga sulmet ne zemër dhe në tru. Një studim i gjerë ka dhënë dëshmi të fuqishme se dieta që rekomandohet nga organet shëndetësore për uljen e presionit të gjakut, mund t’u mbrojë njerëzit nga sulmi në zemër dhe në tru. Studiuesit përcollën rreth 88 mijë femra të shëndetshme për 25 vite. Ata kanë studiuar zgjidhjet e tyre në ushqim dhe kanë përcjellë edhe sulmet në zemër dhe në tru. Ato të cilat ishin ushqyer në mënyrë të ngjashme si i rekomanduar nga organet, kishin arritur ta ulin presionin e gjakut. Ky plan i ushqimit ka favorizuar pemët, perimet, drithërat, qumështin me pak yndyrë dhe proteinat me prejardhje bimore. Gratë që ushqeheshin me këto gjëra ishin rreth 24 për qind më pak të prira të kenë sulme në zemër, dhe 18 për qind më pak sulme në tru, krahasuar me femrat pa kontrolle dietale. Sipas studiuesve, një regjim të kontrolluar të ushqimit duhet ta kenë edhe njerëzit e shëndoshë dhe jo vetëm ata të rrezikuarit. Nuk është mirë të mendohet “Unë nuk kam presion të rritur të gjakut dhe nuk kam nevojë të ndjek këtë këshillë”.
Sulmi në zemër
Mbi 25 për qind e njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një, ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave, ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët) të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja.
Ndryshimi i ushqimit
Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga pemët dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjam dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit. Jeni të ngopur, por nuk jeni aq sa të keni nevojë të shkopsitni pantallonat.
Substancat
Ka artikuj ushqimorë që përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut në tru, e ky është shkaku i dhembjes në tëmthat. Fajtorët kryesorë janë nitritet, shtesat që i qiten mishit të konservuar dhe disa llojeve të sallameve si dhe disa përbërës të tjerë që u qiten kryesisht artikujve të konservuar. Kujdes të posaçëm duhet kushtuar kafesë: kafeina ngushton enët e gjakut, mirëpo personat që janë mësuar të konsumojnë disa kafe në ditë, në rast të mungesës së rastësishme shkaktohet reaksioni i kundërt, përkatësisht zgjerimi me dhembje i enëve të gjakut. Është dallim i madh në reaksionet ndaj kafeinës dhe secili e di më së miri kufirin e vet. Sido që të merret, nuk rekomandohet të pihen më tepër se dy ose tre filxhanë kafe në ditë.
Hipertensioni
Hipertensioni është pengesë e shpeshtë, i cili nganjëherë nuk shfaqet me shenja të qarta, por mund të rrezikojë shëndetin e organeve, siç është zemra, veshkat dhe sytë. Hipertensioni mbahet nën kontroll me barna dhe ushqim të posaçëm. Të ushqyerit është pjesë përbërëse e shërimit, sepse hipertensioni lidhet drejtpërdrejt me ushqimin. Tensioni paksa i ngritur mund të mbahet nën kontroll me anë të ushqimit (90-105 i poshtmi, 140-150 i epërmi), mirëpo kur këto vlera të jenë dukshëm më të larta, nevojitet ndihma e mjekut. Megjithatë, ushqimi përkatës mundëson që të zvogëlohen dozat e barnave, gjë që është shumë e rëndësishme sepse dihet që barnat kundër hipertensionit, përveç përparësive të dukshme, kanë edhe ndikime përcjellëse të padëshirueshme.
Kujdes ndaj kripës
Natriumi, përkatësisht kripa, sigurisht është armiku më i madh i personave që vuajnë nga hipertensioni. Shkaku shpesh shpjegohet me faktin se kripa e tepërt shton sasinë e lëngjeve në gjak dhe “zgjeron” arteriet, gjë që shkakton ngritjen e tensionit. Sasia mesatare e kripës që fusim në organizëm, sillet prej 10-15 gramë në ditë, gjë që është tepër, nëse e dimë se nuk duhet tejkaluar 4-5 gram në ditë. Këtë sasi nuk është e vështirë ta arrijmë sepse shumë artikuj ushqimorë përmbajnë kripë, e shprehia që ushqimi të “kriposet” gjatë zierjes është tepër e përhapur. Në shitje ka zëvendësime mjaft të mira për kripën, të cilat mund të përdoren për njelmësimin e ushqimit.
Më shumë peshk
Peshku duhet të hahet së paku dy herë në javë, sepse është i pasur me thartirën omega-3, e cila ul tensionin dhe ruan arteriet dhe zemrën. Mishi është i pasur me yndyra, të cilat mund të shtresohen në arterie, duke vështirësuar në këtë mënyrë qarkullimin e gjakut dhe shkaktuar ngritjen e tensionit.
Kaliumi–aleat
Pemët dhe perimet janë të pasura me kalium, mineral i cili ka aftësi për zgjerimin e arterieve. Mjafton që të shtohet në ushqim dhe që tensioni të kthehet në normale. Në mesin e artikujve më të pasur me kalium janë pemët ekzotike, lëngu prej kumbullave, bananeve, dredhëzave, patates, majdanozi dhe domatja.
Artikujt ushqimorë
Mishi i viçit, i lepurit, bibës, pulës, qumështi pa yndyrë dhe jogurti, peshku i lumit ose i liqenit, buka, orizi, vera, birra (vetëm një gotë në ditë), margarina, vaji prej misrit, kikirikëve, lulediellit, lakra, trangujt, qepa, patatja, domatja.
Evitimi
Mishi i konservuar ose i tharë, sallamet, djathërat e vjetër, peshku në vaj, brumërat me vezë, ëmbëlsirat, çokollata, sasitë më të madha të alkoolit, gjalpi, dhjami, pemët e konservuara dhe ushqimi i thartë.
Të rejat nga shkenca/ Anoreksia e dobëson funksionin e zemrës
Tek femrat me anoreksi dhe ato që kanë humbur shumë shpejt peshën e trupit mund të lajmërohen probleme me zemrën, me rrezik për jetën, të cilat bëhen të dukshme gjatë ushtrimeve, pohojnë ekspertët. Dihet se tek femrat e sëmura nga anoreksia paraqiten probleme në zemër, tek të cilat paraqiten të rrahura të pakta në zemër dhe dëmtim të muskulit të zemrës. Përveç kësaj, shkencëtarët besojnë se vdekja e menjëhershme në rastin e të sëmurëve nga anoreksia kryesisht është rezultat i problemeve në zemër. Një grup shkencëtarësh kanë studiuar punën e zemrës tek 36 vajza me moshë prej 11 deri 18 vjet, të cilat trajtoheshin në spital për shkak mosushqyerjes, të shkaktuara nga anoreksia. Këto femra paraqiteshin me probleme serioze me funksionin dhe shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës.
Përgatiti: Jonida Tashi
17 Prill 2008