Shpërthimi, plagosen rëndë tre metalurgë
BURREL – Edhe tre të plagosur i janë shtuar numrin të madh të punonjësve të aksidentuar në punë. Mbrëmë janë lënduar rëndë tre metalurgë të uzinës së Ferro-Kromit në Burrel. Burimet zyrtare të policisë së Matit bëjnë të ditur se të plagosurit janë shtetasit Ahmet Saliaj, Simon Menga dhe një person tjetër, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Sipas të dhënave të para, rezulton se punonjësit e uzinës kanë nisur punën, ende pa u riparuar defekti që kishte sistemi në furrën e shkrirjes së mineralit. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spitalit e Burrelit, dhe pritet transferimi i tyre drejt Tiranës për një trajtim mjekësor më të specializuar. Burimet policore bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Shpërthimi
Kur ka vetëm pak kohë që është rivënë në punë uzina e Ferro-Kromit në Burrel, shënohen incidentet e para të rënda. Megjithëse furra e shkrirjes së uzinës raportohet se ka qenë me defekt, kjo nuk i ka penguar punonjësit e saj që të vënë në punë furrën ku bëhej shkrirja e mineralit të kromit. Por kjo ka qenë me pasoja të rënda. Mbrëmë, rreth orës 18 një shpërthim ndodhi në uzinën e Ferro-Kromit në Burrel, duke plagosur rëndë tre punonjës. Burimet bëjnë të ditur se në momentin e aksidentit, në mjediset e brendshme kanë qenë 20 punonjës. Nga të dhënat e para, njoftohet se janë plagosur shtetasit Ahmet Saliaj, Simon Menga, dhe një punonjës i tretë, emri i të cilit nuk është njoftuar ende nga drejtuesit e uzinës dhe policia e shtetit.
Shkaqet
Firma koncesionare, por edhe policia, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, nuk kanë dhënë asnjë detaj për shkaqet e ngjarjes. Ndërkohë, të dhënat e para bëjnë me dije se shkak i shpërthimit në uzinën e Ferro-Kromit në Burrel ka qenë një defekt në furrën e shkrirjes, e cila kishte qenë me defekt. Sipas dëshmive, thuhet se punonjësit kanë vazhduar punën pa riparuar defektin, gjë që mund të jetë bërë shkas për aksidentin me pasojë plagosjen rëndë të tre punonjësve. Tre ditë më parë ndodhi në aksident në minierën e Munellës, ku mbeti i plagosur rëndë minatori i sapo-punësuar Florian Prenga. Ndërsa para 6 ditësh u plagosën edhe 3 punonjës të tjerë në një minierë private kromi në Tropojë. Vetëm për 14 muaj kanë gjetur vdekjen 9 minatorë në minierat e kromit të Bulqizës. Megjithë alarmin e dhënë nga strukturat shtetërore, aksidentet në punë po marrin çdo ditë jetë njerëzish.
17 Prill 2008