E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano, Berisha përsërit akuzat ndaj drejtësisë

Kryeministri, konferencë shtypi për vizitat turistike dhe drekat në Kinë

Kryeministri Berisha refuzoi të përgjigjej dje për vendimin e gjykatës së Vlorës ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, duke thënë se ka dhënë një deklaratë për këtë.

Duke mos iu përgjigjur interesimit të mediave gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp, kreu i qeverisë miratoi me heshtje ato katër rreshta të nxjerra një ditë më parë në faqen zyrtare të qeverisë, ku thuhej se:

"Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit".


Mosdeklarimi i Berishës u bë dje, kur qeveria, vetëm pesë ditë para vizitës së Kryeministrit grek, Karamanlis, në Tiranë, mori dy vendime të debatuara për marrëdhëniet mes dy vendeve, nga njëra anë atë për ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke në vitet 1940-41, që parasheh ndërtimin e disa varrezave në jug të vendit dhe atë për delimitimin e ujërave mes dy vendeve, që sipas specialistëve është në dëm të Shqipërisë.


Berisha premtoi se 700 mijë shtetas pa pasaportë do të pajisen me karta identiteti brenda afatit dhe u shpreh i vendosur për të mos dhënë karta falas, siç kërkon opozita, por duke u mjaftuar me subvencionimin për disa shtresa, që janë bërë pak ditë më parë me vendim qeverie.

Kryeministri sulmoi sërish Kryetarin e opozitës, Rama, duke e akuzuar për manipulim të fakteve për bisedimet mbi marrëveshjen për centralin Bërthamor mes Shqipërisë dhe Kroacisë, duke u shprehur se ai kishte hartuar lajmet për një gazetë kroate, kur vetë Zagrebi ka konfirmuar se do të ketë një memorandum mirëkuptimi për këtë vepër që ka alarmuar Malin e Zi, komunitetin në Shkodër dhe që ka hasur edhe në kundërshtimin e PS-së.


Objekt i konferencës së Berishës ishte vizita disaditore në Kinë, të cilën ai e përmblodhi në disa përshtypje turistike dhe kulinarie, duke u shprehur i mahnitur nga drekat që ishin shtruar për nder të tij në Shenzhen, apo në Pekin.

Ai premtoi sërish investime dhe kredi të buta kineze dhe një vizitë të shpejtë të Kryeministrit kinez, premtim që ishte bërë edhe pas vizitës së një viti më parë, në gusht 2008, pas hapjes së lojërave olimpike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›