Qeveria heq kufijtë ujorë me Greqinë
Miratohet në parim marrëveshja, anijet greke kanë të drejtë që të shfrytëzojnë lirshëm ujërat shqiptare
TIRANË- Qeveria shqiptare miraton një marrëveshje, me anë të së cilës i jepet palës greke e drejta për të hyrë në ujërat territoriale shqiptare. Marrëveshja e miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, parashikon "heqjen" e kufijve për ujërat që ndodhen mes dy vendeve tona.
"Këshilli i Ministrave vendos miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë",- thuhet në VKM. Miratimi në parim i kësaj marrëveshjeje, do të thotë që anijet greke mund të kalojnë lirshëm në ujërat tona, si dhe mund të përdorin ishujt shqiptarë.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me palën shqiptare, por kjo ka shumë pak gjasa që të ngjasë. Afërsia mes dy vendeve ka bërë që kufiri detar të jetë një vijë tepër e hollë që shkelet pothuajse çdo ditë nga anije të ndryshme.
Kjo marrëveshje pritet që të marrë firmën përfundimtare gjatë vizitës së Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis në Tiranë, vetëm pas pak ditësh.