E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion kundër pikave ilegale të gazit

Ministria e Ekonomisë dhe policisë kanë nisur një fushatë kundër pikave brenda qyteteve që paraqesin rrezikshmëri

TIRANË- Ministria e Ekonomisë nis aksionin e mbylljes së pikave të tregtimit të gazit të paligjshme dhe që shfaqin rrezik për jetën e qytetarëve. Sipas zëvendës ministrit të Ekonomisë, Neritan Alibali, ky aksion do të zgjasë tre ditë rresht dhe pas kryeqytetit do të shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit.

"Ky aksion është parashikuar të mbyllet brenda tre ditësh. Pas Tiranës, operacioni do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit, si Durrës e Shkodër, etj.

Situata shfaqet shumë e vështirë, pasi ka pasur një bum të çeljes së këtyre pikave ilegale, të cilat janë shumë pranë zonave të banuara e kërcënojnë çdo ditë jetën e njerëzve"- tha Alibali.

Sipas tij, me të përfunduar me pikat e paligjshme të tregtimit të gazit, do të vazhdohet edhe me impiantet dhe instalimet e furnizimit me naftë të automjeteve.

Alibali shpjegoi se gjatë identifikimit të subjekteve që nuk përmbushin kushtet teknike, është konstatuar se procesi i mbushjes së bombolave të gazit bëhet në pika shitjeje e ambiente brenda zonave të banuara, pa lejet përkatëse, pa asnjë element sigurie teknike dhe kryhet në prezencë të qytetarëve.

Gjithashtu ai bëri me dije se, grupet e verifikimit kanë hasur me subjekte të cilat e tregtojnë gazin në ambiente të papërshtatshme dhe me personel të pakualifikuar.

"Ky proces është klasifikuar në Grupin e Katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre",- shtoi më tej zëvendës ministri.

Ai shpjegoi se aksioni ka filluar që dje dhe se në bashkëpunim me policinë e shtetit do të bëhet mbyllja e të gjitha pikave të jashtëligjshme. Grupet e punë së ministrisë theksojnë gjithashtu se janë identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, të cilat klasifikohen me nivel rrezikshmërie të lartë dhe si të tilla duhet të mbyllen.

Bëhet me dije se nga procesi i verifikimit, në Tiranë janë identifikuar një numër i madh pikash tregtimi dhe autogazesh të paligjshme, që kryejnë këto veprimtari të rrezikshme. Krahas mbylljes së subjektit, Ministria e Ekonomisë paralajmëron se, përgjegjësit për shkaktimin e kësaj gjendjeje do të vihen para përgjegjësisë ligjore.

Para se të niste aksionin e mbylljes së pikave të paligjshme të gazit,prej disa muajsh METE, bëri verifikimin ne terren të subjekteve që paraqesin rrezikshmëri për jetën e qytetarëve.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›