E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria hap 2568 vende pune të përkohshme

TABELA E PLOTË/ Miratohet lista e re e punonjësve me kontratë të përkohshme, ja institucionet ku mund të aplikohet

TIRANË- Afrimi i fushatës elektorale ka kthyer qeverinë shqiptare në një makinë që prodhon, në çdo mbledhje të saj, vende të reja pune. Por, këto nuk janë vende pune sipas statusit të nëpunësit civil, por janë punonjës të përkohshëm.

Pothuajse në çdo mbledhje qeverie shtohet numri i këtij grupi punonjësish. Kjo gjë ndodhi edhe në mbledhjen e djeshme, ku Kryeministri Berisha prezantoi edhe platformën e re. Sipas tij, në total për vitin 2009 do të jenë 2568 punonjës me kontrata të përkohshme.

"Shekulli" publikon të plotë tabelën e miratuar dje në Këshillin e Ministrave, që tregon saktësisht se sa vende të reja pune do të hapen dhe në cilat ministri apo institucione ndodhen ato.
Qeveria miratoi dje një vendim, i cili parashikon rritjen e numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme, me 168 vende të reja pune. Propozimi është bërë nga Ministria e Financave dhe ka kaluar pas asnjë problem në qeveri.

Tre institucionet që përfitojnë më shumë nga ky vendim janë: Ministria e Punëve Publike dhe më konkretisht ALUIZNI, Ministria e Brendshme dhe më konkretisht pjesa e gjendjeve civile, si dhe Instituti i Statistikave.


Kjo është hera e tretë që qeveria miraton shtimin e listës së punëtorëve me kontrata të përkohshme. Herën e parë lista u publikua në shkurt të këtij viti, kur Këshilli i Ministrave vendosi që, për ministritë dhe institucionet qendrore në vend, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme të ishte 1618.

Por, një muaj më pas, më datë gjashtë mars, qeveria ndërroi sërish mendje, duke rritur numrin e të punësuarve me kontrata të përkohshme. Këtë herë numri i kthye në 2400 punonjës, ndërsa dje arriti shifrën 2568.

Burime të qeverisë pohuan se punonjësit e përkohshëm do të punësohen jo vetëm pranë ALUIZNI-t, që zë pjesën kryesore, por edhe në zyrat e gjendjes civile, si dhe në qendrat e transferimit të teknologjive të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Në vendimin e djeshëm është përcaktuar me hollësi numri i punonjësve për çdo ministri dhe institucion.

Pas akuzave të shumta që këto punësime kryhen vetëm për fushatë elektorale, burimet e qeverisë shpjeguan se ndryshimi i vendimit për shtimin e numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme në zyrat e gjendjes civile në vend, bëhet për shkak të zgjedhjeve, pasi në këto zyra po punohet për shpërndarjen e kartave të identitetit dhe listat e zgjedhësve.

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, parashikon për këtë vit të punësojë mbi 800 punonjës me kontrata të përkohshme dhe këta do të jenë specialistë të ALUIZNI-t. Gjithashtu, regjistrimi i banesave nga ana e INSTAT-it ka bërë që qeveria të shtojë numrin e punonjës me 378.


Të sigurohet jeta e ushtarëve në misione

TIRANË- Të gjithë ushtarët shqiptarë që do të shkojnë me misione jashtë vendit, do të sigurohen me paratë e shtetit shqiptar. Por siguracioni do të jetë i vlefshëm vetëm për aksidentet në grup dhe jo për aksidente të tjera.

"Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me INSIG, sha-në, do të bëjë sigurimin e jetës nga aksidentet në grup të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që janë me mision ushtarak jashtë vendit, me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2009, miratuar për këtë ministri",- thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›