E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI bashkon votat me PD për gjykatat administrative

Braho ka marrë pjesë dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, duke i dhënë mundësi shumicës që të bëjë numrat

Projektligji që kundërshtohet nga socialistët, kërkon shumicë të cilësuar votash për miratim në seancë

Mosprania e deputetëve socialistë nuk ka penguar mazhorancën që të miratojë dje në Komisionin e Ligjeve, projektligjin shumë të debatuar për organizimin e drejtësisë administrative, i njohur rëndom si drafti për krijimin e gjykatave administrative.

Por, një kalim i tillë nuk do të ishte bërë i mundur nëse në seancën e djeshme nuk do të kishte marrë pjesë deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, i cili duket se ka "tradhtuar" homologët e tij socialistë dhe ka marrë pjesë në mbledhje për të shpëtuar në këtë mënyrë nderin e shumicës parlamentare, e cila kishte vendosur që ta kalonte këtë draft edhe pa pëlqimin e opozitës.


Mbledhja


Ashtu si dhe një ditë më parë, deputetët socialistë kanë respektuar vendimin e tyre politik për të mos marrë pjesë në jetën parlamentare të të gjitha niveleve, duke mos u paraqitur edhe në diskutimin e projektligjit për organizimin e drejtësisë administrative në Komisionin e Ligjeve.

Të përballur me një vendim të tillë, drejtuesit demokratë të komisionit, kanë vendosur që ta ezaurojnë diskutimin e kësaj çështjeje edhe pa praninë e deputetëve socialistë, duke marrë deputetë "borxh" nga komisionet e tjera, pavarësisht se miratimi i tij në seancë plenare në Kuvend do të kërkojë një shumicë të cilësuar votash prej 3/5.

Në mbledhjen e djeshme të komisionit është thirrur për të marrë pjesë përsëri me statusin e zëvendësuesit, deputeti demokrat Luan Skuqi, megjithëse në bazë të rregullores së Kuvendit ai mund të marrë pjesë në mbledhje për realizimin e kuorumit të nevojshëm, por duke mos patur të drejtë vote.

Kjo ka vënë në vështirësi vendimmarrjen e komisionit në mbledhjen e djeshme, ku ka qenë i pranishëm si i ftuar edhe ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.

Por, çdo gjë e ka zgjidhur pjesëmarrja në të e deputetit të LSI-së Spartak Braho, i cili ishte dhe relatori i projektligjit në fjalë. Kështu, së bashku me Brahon është mundur të sigurohej numri 12 i pjesëmarrësve, çka përbën dhe shumicën e nevojshme për vendimmarrjen në këtë komision.

Në mbledhje ka marrë pjesë, përveç Brahos, edhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Por, ndërsa ka mundur të gjejë votat e duhura për ta kaluar këtë projektligj në komision, nuk dihet nëse mazhoranca do ta kërkojë përsëri mbështetjen e LSI-së edhe në seancë.


Drafti


Megjithëse socialistët nuk kanë marrë pjesë në diskutimin final të projektligjit në Komisionin e Ligjeve, shumica qeverisëse, pas një hezitimi të gjatë, ka miratuar si zgjidhje konsensusi propozimin e paraqitur më parë prej opozitës, për ngritjen e gjykatave administrative të shkallës së parë, në qendrat e rretheve ku ka dhe gjykata apeli.

Nevoja për votat e të majtëve në seancë, duket se ka detyruar të djathtën në Komisionin e Ligjeve të lëshojnë pe, edhe pse kundra vullnetit të Ministrisë së Drejtësisë, dhe të miratojë si propozim konsensual ndryshimin e nenit 4, sipas propozimit të socialistëve, për të ngritur gjykata dhe jo seksione.

"Pranojmë konceptin e Brahos për gjykatat administrative të shkallës së parë, në numër dhe për territor të barabartë, me atë të gjykatave të apelit.

Biem dakord, nuk e minimizojmë, formulim kompromisi që vjen nga diskutimi i kolegëve", - tha Rusmajli, duke votuar propozimin.

Gjithashtu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm që i është bërë draftit ka qenë edhe ai që përcakton kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, që kanë për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme, gjykatën, në territorin e së cilës ndodhet sendi ose pjesa më e madhe e tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›