Bollano: Gati për sezonin turistik të verës
Ndryshe nga bashkitë e tjera bregdetare të vendit, ajo e Himarës nuk ka caktuar datë për hapjen e sezonit turistik veror. Kryetari i kësaj bashkie, Vasillaq Bollano, thotë se qyteti synon të thithë turistë në çdo muaj të vitit, ndaj nuk është parë me vend të ketë një periudhë të vitit që të quhet sezon turistik. “Himara ka një trashëgimi kulturore, njerëz të kulturuar dhe të mrekullueshëm, si dhe pozicion gjeografik të volitshëm për turizëm gjatë gjithë vitit. Himara nuk ka vetëm dy muaj turizëm, siç është bërë tendencë në çdo qytet bregdetar, por ne si bashki mbajmë një sezon turistik të hapur për 12 muaj të vitit, për vetitë që ka ky vend, si klima, njerëzit dhe trashëgimia kulturore”, tha Bollano. Sipas tij, dy vitet e fundit ka pasur një përmirësim të infrastrukturës rrugore, por këtu mund të shtohen dhe përmirësimi i ndriçimit, i sistemimit të ujërave të zeza, si dhe shtimi i shërbimeve dhe aktiviteteve të shumta që organizohen nga bashkia për turistët. Kryebashkiaku i Himarës është i kënaqur me nivelin e investimeve nga ana e qeverisë qendrore. “Mund të them që investimet këto vitet e fundit kanë pasur rritje, gjë që është edhe në nder të qeverisë, e cila e ka parë me syr të mirë Himarën”, tha Bollano, duke shtuar se ka pasur investime edhe nga Banka Botërore dhe Kisha Ortodokse. “Unë mendoj se ne jemi gati për sezonin veror”, thotë kryebashkiaku. Bashkia ka arritur që për këtë sezon veror të përfundojë sistemimin e rrugëve dytësore që çojnë drejt detit, si dhe rrugëve të brendshme të lagjeve, ndërsa premton se shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i bulevardit qendror të qytetit.
#