Shkatërrimi i kanalit than fushat e Luginës së Matit
Duket se gjatë kësaj vere, ditë të vështira parashikohen për Luginën e Matit, e cila shtrihet në një gjatësi prej rreth 20 kilometrash mes qytetit të Klosit dhe Burrelit. Dhe e gjitha kjo, për shkak të mungesës së ujit të vaditjes për të. Jo pak, por rreth 400 familje kanë dhënë alarmin, pasi qindra hektarë tokë e kësaj lugine, rrezikon të thahet për pikën e ujit. Shkak i kësaj situate është bërë prishja e argjinaturës së kanalit vaditës të Klosit. Dëmtimi i kanalit ka ndodhur në fshatin Bershi, vetëm rreth 2 kilometra në afërsi të qytetit të Klosit, ku reshjet e dendura të shiut në muajt e pranverës shkaktuan rrëshqitje të tokës, duke prishur kanalin në një gjatësi prej 50 metrash. Sipas banorëve, vetëm para një viti, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryeministri Berisha preu shiritin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e këtij kanali në vlerë 1.4 milionë euro. Por, punimet vetëm sa filluan dhe u lanë përgjysmë, për mungesë fondesh. Anulimin e tenderit për rikonstruksionin e kanalit, banorët e lidhin me krizën ekonomike globale që, sipas tyre, ka përfshirë edhe vendin tonë. Ndërkohë kërkesat e pandërprera të banorëve, qeverisjes vendore dhe shoqatës së vaditjes, në adresë të qeverisë për fonde investimi, duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Kështu, sipas kryetarit të Bashkisë së Klosit, Ramazan Mjeshtri, këto ditë pritet të zhvillohet tenderi nga Ministria e Bujqësisë, me vlerë 20 milionë lekë për riparimin e kanalit në pjesën e dëmtuar të tij. Gjithsesi ndërhyrja nëpërmjet këtij tenderi për riparimin e defektit në pjesën e dëmtuar të kanalit dhe jo në të gjithë gjatësinë e tij, do të ishte një zgjidhje e momentit dhe jo afatgjatë.
#