E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e punëtorëve të ngarkim-shkarkimit bllokon portin

Durrës

Protesta e punëtorëve të njërës prej kompanive të ngarkim-shkarkimit ka bllokuar pjesërisht veprimtarinë përpunuese të Portit Detar të Durrësit. Ulja e pagesës për ton nga kompania private e ngarkim-shkarkimit “Egnatia” në Portin Detar të Durrësit, si dhe të tjera kërkesa për moszbatimin e kontratës së punës të lidhur me punëdhënësin ka bërë që të gjithë punëtorët të mos dalin në punë deri në një përgjigje nga drejtuesit e kompanisë. Protesta e afro 120 punëtorëve të kësaj firme ka bllokuar për disa orë përpunimin e tri anijeve në proces nga kjo kompani e ngarkim-shkarkimit. Janë dy anije me banane për shkarkim dhe destinacion tregun vendas, si dhe një anije e tretë që po ngarkohet për të transportuar një ngarkesë në Turqi. Ndërkaq, protestuesit janë të vendosur ta shtrijnë protestën dhe në ditët në vazhdim në kërkim të respektimit të punës së tyre të krahut dhe gjetjen e zgjidhjes. Aktualisht në Portin e Durrësit veprojnë 3 kompani të ngarkim-shkarkimit, pas privatizimit të këtij shërbimi disa vite më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›