E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria u pret fondet njësive vendore që i kanë borxhe OSSH-së

Bllokimi po aplikohet edhe si ndëshkim për abuzimet

Qeveria ka gjetur një mënyrë të re për të vjelë detyrimet nga njësitë e qeverisjes vendore. Komunave dhe bashkive që kanë borxhe ndaj palëve të treta apo që kanë kryer abuzime po u bllokohen të gjitha burimet financiare.

Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Prefekturës së Fierit, që e ka aplikuar tashmë këtë metodë të re penalizimi, ndërkohë që e njëjta masë është marrë për disa njësi vendore edhe në rrethin e Korçës.

Borxhet ndaj OSSH-së

Komuna Portëz në rrethin e Fierit po përballet prej disa javësh me një krizë të rëndë ekonomike. Dega e financës së kësaj komune nuk po mundet të realizojë asnjë transaksion, sepse numri i llogarisë në degën e thesarit të Fierit është bllokuar. Ministria e Financave ka vendosur bllokimin e numrit të llogarisë së Komunës Portëz duke vënë në vështirësi shlyerjen e shumë detyrimeve që Komuna Portëz ka mbartur që nga viti i kaluar. Ndërsa janë vënë në rrezik edhe pagat, një urdhër i dytë i lëshuar ditën e mërkurë ka mundësuar pagesën e rrogave dhe të sigurimeve shoqërore për punonjësit e komunës.

Kryetari i Komunës Portëz, Azem Shatëri, e cilëson sulm politik situatën e krijuar prej disa javësh si pasojë e bllokimit të numrit të llogarisë. Por kryetari i komunës sqaron se bllokimi i llogarisë në thesar ka një arsye dhe kjo arsye është borxhi që Ndërmarrja e Ujësjellësit i ka OSSH-së. Komuna Portëz është aksionere në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të Patosit dhe Ministria e Financave kërkon që kjo ndërmarrje të shlyejë faturat e energjisë elektrike. Kryetari i komunës shpjegon se për shkak të kësaj situate, mjaft investime kanë mbetur në mes, si dhe shumë firma janë palikuiduar që nga viti i kaluar. Ai tha gjithashtu se marrëdhëniet e komunës me ujësjellësin përmblidhen në shlyerjen e detyrimeve për shërbimin dhe këto detyrime janë shlyer rregullisht.
Mësohet se prej datës 5 maj, një urdhër i Ministrisë së Financave ka bllokuar buxhetet e komunave dhe të bashkive që kanë borxhe ndaj OSSH-së. Të njëjtin fat ka pasur edhe Bashkia e Maliqit dhe disa komuna në rrethin e Korçës, të cilat prej disa ditësh nuk mund të tërheqin para nga dega e thesarit, duke vënë në rrezik investimet dhe pagat e administratës.

Prefektura

Dervish Baraj, kryetar i Auditit të Prefekturës së Fierit, tha për gazetën “Shqip” se pas një kontrolli në komunat dhe bashkitë e qarkut është kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave në Fier dhe nga dega e thesarit bllokimi i burimeve financiare për njësitë vendore të kapura me shkelje.
Baraj tregoi dje rezultatet e kontrollit të fundit të kryer nga Auditi i Prefekturës në disa njësi vendore të të tria rretheve të qarkut. Nga ky kontroll rezulton se 26 komuna dhe bashki kanë abuzuar me fondet publike, ndërkohë që një numër i madh punonjësish që kanë kryer këto abuzime janë ndëshkuar me largim nga puna, paralajmërim për largim nga puna, si dhe ndjekje penale.
Auditi i prefekturës ka konstatuar se ka pasur abuzime në 22 komuna dhe 4 bashki të qarkut dhe dëmi financiar i shkaktuar shkon në rreth 80 milionë lekë. Abuzimet konsistojnë kryesisht në dhënien e ndihmës ekonomike dhe të përkrahjes sociale, në investimet e kryera, në përdorimin e fondeve publike, dhënien e lejeve të ndërtimit etj. Megjithëse shkeljet janë të shumta, kreu i auditit thotë se “në krahasim me periudhën e mëparshme është ulur shkalla e shkeljeve administrative dhe financiare”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›