Problemet mendore, amerikania e sektit fetar tenton vetëvrasjen
Një 23-vjeçare me shtetësi amerikane, Sara Smith, ka tentuar të vetëhidhet nga kati i nëntë i pallatit, ku banonte që prej katër muajsh, në afërsi të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas policisë, ajo vuante nga probleme mendore dhe këtu kishte ardhur me mision në një sekt financiar. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës, kur shtetasja amerikane ka tentuar të hidhet nga dritarja e shtëpisë së saj. Por ka qenë fqinji i 23-vjeçares, i cili pasi e ka parë veprimin e saj, ka lajmëruar menjëherë policinë. Forcat e Komisariatit nr. 4 të kryeqytetit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke tentuar të komunikojnë me Sara Smith për të mos kryer aktin e vetëvrasjes. Më pas, në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe forca të RENEA-s, të cilët kanë negociuar me shtetasen amerikane dhe pas disa negociatash ajo ka mundur të zbresë nga dritarja dhe të hapë derën e shtëpisë, ku më pas kanë hyrë edhe forcat e policisë. Të njëjtat burime pohojnë se 23-vjeçarja amerikane është dërguar në Spitalin Nr. 5 për të bërë ekzaminimet të mëtejshme për gjendjen e saj psikike, pasi dyshohet se vuan nga çrregullime mendore. Madje, sipas policisë, nga hetimet paraprake rezulton se amerikania kishte tentuar të vetëvritej edhe disa javë më parë, duke numëruar herën e dytë të tentativës së vetëflijimit. Mësohet se Sara Smith ishte pjesë e një sekti fetar, por policia po punon për të zbardhur shkaqet që e kanë dërguar 23-vjeçaren për të kryer aktin e vetëvrasjes.
#