Investim absurd në Elbasan, 120 mln lekë për fshatin e braktisur
Fshati shpërngulet, komuna investon në një fshat që pothuajse ka mbetur pa banorë. Bëhet fjalë për fshatin Cerujë të Komunës Funarë, ku disa vjet më parë nga dukuria e rrëshqitjes së tokës fshati u zbraz pothuajse nga të gjithë banorët e tij. Jo më shumë se pesë vjet më parë, kanë qenë mbi 160 familje në fshatin Cerujë të kësaj komune bashkë me dy lagjet e tij, Picaj dhe Guraz. Aktualisht kanë mbetur vetëm 13 familje, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike të largohen prej andej, edhe pse shtëpitë e tyre presin “radhën” të shemben nga çasti në çast.
Pamja e fshatit, edhe sot mbetet e trishtë, ku pas rrëshqitjeve masive kanë mbetur monopate të zhveshura e me shtëpi të shembura, pa banorë brenda. Vendasit kanë ikur qëkurse këtu ndodhi “kiameti”, por fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz.
Pasi qeveria katër vjet më parë dha fondin e posaçëm për të shpërngulurit e fshatit Cerujë, ende këtu 13 familje jetojnë mes ankthit për rrëzimin e shtëpive dhe shpresës për t’iu bashkuar bashkëfshatarëve të tyre që janë vendosur në zonat informale rreth qytetit të Elbasanit. Paradoksi qëndron në një investim prej 12 milionë lekësh të reja nga buxheti i shtetit për një copë rrugë dhe meremetimin e ambulancës dhe shkollës. Me shumën e investuar janë sistemuar me zhavorr vetëm 3.5 kilometra rrugë, është restauruar një dhomë si ambulancë, si dhe godina shkollore fillore me vetëm 4 nxënës. “Ishte aplikimi i një projekti nga specialistët e komunës me fondet e buxhetit të shtetit gjatë kohës që rrëshqitjet ende vazhdonin dhe nuk donim ta digjnim”, thotë kryetari i Komunës së Funarit, Qani Sherja.
Por, nga ana tjetër, vetë banorët pohojnë se ky investim qeveritar i bërë pa kriter, po t’u jepej banorëve të mbetur, edhe ata do të iknin nga ky fshat, ku edhe sot dukuria e rrëshqitjes përsëritet si llava e një vullkani që herë ndizet e herë duket sikur shuhet. Në fshat qarkullojnë zëra se një pjesë e mirë e fondit mund të jetë përvetësuar nga pushtetarët vendorë. Dyshimi në fjalë bëhet më i besueshëm kur mësohet se një pjesë të rrugës prej 3.5 kilometra e ka hapur një nga banorët e fshatit me traktorin e tij dhe shuma e parave ka përfunduar në mbushjen e rrugës vetëm me zhavorr, që është transportuar nga brigjet e rezervuarit të zonës, jo shumë larg dy lagjeve të fshatit Cerujë. Ndërkohë, mësohet se banorët e mbetur i kanë dërguar një letër ankesë Kontrolli të Lartë të Shtetit, me dyshimet për abuzimet e drejtuesve komunarë me fondin e 12 milionë lekëve vetëm për 3.5 kilometra rrugë të shtruar me zhavorr.
#