Plazhi i Durrësit është më i pastër, por përsëri i pasigurt
Trefishimi i numrit të njerëzve që popullojnë zonën bregdetare të Durrësit gjatë sezonit turistik, si dhe mungesa e banjave dhe dusheve publike, rrit ndjeshëm nivelin e ndotjes së ujërave detare dhe rërës. Aktualisht, rezultatet e analizave fiziko-kimike dhe bakteriologjike të rërës dhe ujërave detare flasin për një plazh më të pastër se ai i vitit të kaluar dhe rrjedhimisht për më shumë higjienë e pastërti për pushime të këndshme buzë Adriatikut. Vasil Ziu, drejtor i Shëndetit Publik në Durrës, pranon se monitorimi i përditshëm i ujërave megjithatë vazhdon të listojë si zona të nxehta për sa i përket nivelit të ndotjes derdhjen e kanalit në Plazh te Përroi i Agait, atë në hyrje të shëtitores bregdetare “Taulantia”, kanalin e Jubës, grykëderdhjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm, si dhe Porto Romanon. Nëse lëviz përgjatë brezit ranor nga sektori “Iliria” i plazhit të madh të Durrësit, në drejtim të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, zona këto shumë të preferuara nga kryeqytetasit dhe kosovarët, edhe këtë vit janë të dukshme kanalet me ujëra të përdorura dhe të zeza që derdhen në det pa iu nënshtruar filtrimit. Gropat septike në jo pak raste janë të zbuluara dhe kutërbojnë, përtej Plepave. Së fundmi, Komuna e Rrashbullit, territor i së cilës është Shkëmbi i Kavajës, ka deklaruar se po investohet për ngritjen e rrjetit të kanalizimeve në këtë pjesë të bregdetit, gjë që do ta zgjidhë përfundimisht një problem gangrenë që shkakton ndotje të detit dhe rërës. Ndërkaq, dhënia me qira e plazheve nga ana e pushtetit vendor ka mundësuar për pushuesit të shfrytëzojnë banjat dhe dushet publike, kundrejt pagesës, ndonëse ato nuk janë zgjidhje. Përveç plazheve, problem i madh për Durrësin mbetet sistemi i amortizuar i rrjetit shpërndarës të ujësjellësit, si dhe mungesa e presionit të vazhdueshëm në tubacion për shkak të ujit me orar. “Rreziku ndaj kontaminimit të ujit të pijshëm është për shkak të furnizimit me orar dhe mosrrjedhjes së vazhdueshme të ujit me presion në tubacione”, pohon mjeku Vasil Ziu. Durrësi ndër vite ka pasur probleme me ndotjen e ujit pikërisht nga këto shkaqe dhe ankesat e qytetarëve për rrjedhje të ujit të ndotur në rubinetet e çezmave të tyre rriten me ardhjen e stinës së nxehtë dhe pakësimit të sasisë së furnizimit dhe kohëzgjatjes së ujit. Rritja e rrezikut të ndotjes së ujit të pijshëm është shoqëruar me rritjen e masave për parandalimin e vatrave epidemike, si dhe mënjanimin e tyre pa u kthyer në problem. Rasti i Ballshit nuk mund të ndodhë, thotë Ziu, jo sepse mungojnë kushtet, por situata është nën kontroll të vazhdueshëm me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme, sapo qendrat shëndetësore të lagjeve dhe fshatrave të raportojnë raste me gastroenterite të papërcaktuara. Procesverbale për çdo evidentim të ujit të ndotur nga sektori i higjienës, ku ndodhet dhe laboratori bakteriologjik, i dërgohen ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve me kërkesën për të ndërhyrë në riparimin e tubacionit dhe shmangien e problemit. Doza e klorit në ujë është rritur ndjeshëm, por sipas drejtuesve të shëndetit publik, ajo është brenda normës së lejuar për të mos dhënë pasoja të tjera në shëndetin e popullatës. Norma e pranisë së klorit në ujë është brenda kufijve 0.8-1.5 mg/litër. Drejtuesit e shëndetit dhe ata të pushtetit vendor premtojnë për një sezon më cilësor, më të suksesshëm turistik, për shkak të masave të marra, ndërkohë që problem duket se dhe këtë vit do të mbetet furnizimi me ujë të pijshëm.
#