E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollano: Malltezi, koordinator i tabelave

Edhe sot Vasil Bollano nuk u paraqit në sallën e gjyqit duke mos pranuar të merrej në pyetje nga organi i akuzës, fakt që edhe ishte kërkuar nga ky i fundit dhe që përpara togave të zeza u shpreh se në mungesë të të pandehurit do të lexoheshin deklaratat e dhënë prej tij në fazën e hetimeve. Ndërkohë, gjatë leximit të thënieve të Bollanos, në pah doli edhe emri i dhëndrit të kryeministrit të vendit, Jamarbër Malltezit, koordinator në atë kohë i një projekti për zonën e Himarës. Para përfundimit të seancës, avokati i Bollanos kërkoi rishikimin e aktit të ekspertimit për heqjen e tabelave nga ana e kryebashkiakut. Lidhur me këtë kërkesë mbrojtësi ligjor u shpreh se personi që kishte kryer më parë aktin e ekspertimit nuk ishte inxhinier ndërtimi, por një teknik i thjeshtë, e shkuara e të cilit nuk linte shumë për të dëshiruar. Kjo kërkesë e avokatit u pranua nga gjykata, që caktoi dy ekspertë të tjerë për të kryer ekspertizën dhe për të dhënë një tjetër akt për ngjarjen.AkuzaShkak për hetimin e Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogora. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, rezulton se i pandehuri Bollano është marrë në pyetje në lidhje me këto shkelje, duke mbajtur qëndrim pohues, me pretendimin se në tabelat dhe sinjalistikën e rrugëve, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruhen edhe në greqisht, pasi sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›