Vrau djalin e tezes, dënohet me 15 vjet burg nga gjykata
SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 15 vjet burg 32- vjeçarin Besnik Shytani , i akuzuar për vrasjen me dashje të kushëririt të tij. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, mbrojtja e të pandehurit ka kërkuar pafajësi për Shytanin, me pretendimin se ai e ka kryer krimin në kushtet e vetëmbrojtjes.Prokuroria kishte kërkuar 16 vjet burgim për të pandehurin, i cili ka deklaruar se viktimën Leonard Kodra e ka patur jo vetëm djalë tezeje, por edhe shok dhe se asnjëherë nuk ka dashur ta vriste. Ngjarja ku mbeti i vdekur Leonard Kodra ka ndodhur më 30dhjetor 2007, në fshatin Bardhaj në Shkodër, në banesën e autorit të ngjarjes. Leonard Kodra , 23 vjeç, bashkë me babanë e tij kanë shkuar tek banesa e kushëririt Besnik Shytani, rreth 100 m përtej pallateve në Bardhaj të komunës Rrethina. Aty ata kanë debatuar lidhur me faktin se 32- vjeçari Besnik Shytani kishte goditur me pëllëmbë nipin e viktimës, djalin e vëllait, pas një grindjeje mes fëmijësh. Sqarimet për këtë zënkë kanë shkaktuar konflikt mes dy kushërinjve dhe Besnik Shytani që ndodhej në shtëpinë e tij, ka marrë thikën e bukës dhe ka goditur me të Leonard Kodrën. Nga familjarët e Shytanit dhe të Kodrës, i dëmtuari 23 -vjeçar është dërguar në spital, por ka humbur jetën pa shkuar atje. Autori është larguar dhe është endur nëpër kodrat e Bardhajt, për t’u kapur nga policia tre ditë pas ngjarjes , ndërsa kërkonte ushqim nëpër shtëpitë e zonës. Ai e ka pranuar krimin dhe ka shfaqur pendesë, ndërsa gjatë seancave gjyqësore ka patur reagim të familjarëvedhe të afërmve të viktimës, që e kanë kërcënuar se do ta vrasin autorin.