E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano: Unë, kandidat i pavarur në garën për Bashkinë e Himarës

Intervistoi: Thimi Samarxhiu

Vasil Bollano gjendet i vetëm, në garën zgjedhore të 8 Majit. Të paktën në këtë moment, kur duket se Partia Socialiste i ka mbyllur derën, e nga Partia Demokratike, nuk ka marrë asnjë sinjal. Megjithatë, ai pwrpipqet tw shfaqet sfidues, teksa pohon se do të jetë për herë të katërt kryetar i Bashkisë së Himarës. Në këtë intervistë për “MAPO”-n, Vasil Bollano pohon se nuk është hera e parë që kandidon “i pavarur” e se ka besim që qytetarët e Himarës do të vlerësojnë punën e tij të deritanishme.

Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për “MAPO”, ju deklaruat që do të jeni sërish kandidat për Bashkinë e Himarës. Kur ka mbetur më shumë se një muaj nga zgjedhjet lokale, a e konfirmoni këtë deklaratë?

Sigurisht që e konfirmoj dhe do jem sërish kandidat për Bashkinë e Himarës, mbasi vlerësojmë mënyrën se si e kemi udhëhequr, se si e kemi qeverisur sistemin vendor në bashkinë tonë. Besoj se ka qenë një periudhë e suksesshme, si në aspektin social, ashtu dhe në atë ekonomik, dhe shikojmë të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, ku dhe një pjesë e suksesit është dhe mënyra se si ne e kemi administruar. Kështu që për këto arritje, ne mendojmë se kemi vlera për të cilat duhet të vazhdojmë të kandidojmë për Bashkinë e Himarës.

Gjatë ditëve të fundit kanë qarkulluar disa zëra nga Partia Socialiste, të cilat kanë shprehur refuzimin për të mbështetur kandidaturën tuaj në Himarë, duke paralajmëruar nxjerrjen e një kandidati më vete për këtë Bashki. Cili është komenti juaj për këto deklarata? A janë këto zëra të veçuar, apo është qëndrimi zyrtar i PS-së?

Mendoj që nuk është ndonjë gjë e re, për arsyen se ne, si Parti e të Drejtave të Njeriut, gjithmonë kemi zbritur dhe kemi kandiduar të pavarur në zgjedhjet vendore, kështu që edhe këtë radhë, PBDNJ do të zbresë e pavarur dhe sigurisht do të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me të gjithë kandidatët e tjerë të subjekteve, të cilat do të kenë kandidatët e tyre.

Zoti Dule konfirmoi zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën tuaj për Bashkinë e Himarës. Pas kësaj deklarate, cila do të jetë strategjia juaj? Ose e thënë më ndryshe, me cilën forcë do të bashkëpunoni për këto zgjedhje?

Marrëdhëniet e mia me pushtetin qendror kanë qenë gjithmonë korrekte dhe konkrete. Një pjesë e arritjeve është edhe mënyra se si kryetari i njësisë vendore ka administruar Bashkinë e Himarës. Në do të bashkëpunojmë me këdo, i cili do të ndërtojë marrëdhënie reciproke, në shërbim të të gjitha palëve.

A keni pasur kontakte gjatë ditëve të fundit me drejtuesit e PD-së apo edhe me vetë kryeministrin Berisha, në lidhje me rikandidimin dhe a ka pasur ndonjë ofertë nga ana e PD-së për ju?

Jo, nuk kemi pasur asnjë takim me të dy drejtuesit e partive kryesore, si me zotin Rama, ashtu dhe me zotin Berisha. Unë besoj se kjo është një çështje e subjekteve politike, ku shpalosin programet, shpalosin mendimet e tyre dhe sigurisht ajo shprehet nëpërmjet kandidimit dhe do të jetë dita e zgjedhjeve, e cila do të përcaktojë dhe fituesin, ai i cili do të marrë mandatin, bazuar mbi mbështetjen që do t’i japë elektorati.

Pra, ju nuk i druheni një bashkëpunimi të mundshëm mes PS-së e PD-së, si në vitin 2000, kundër kandidaturës tuaj?

Mendoj se jemi 11 vite më vonë. Mendoj se të gjitha situata janë ndryshe dhe mendoj që shoqëria jonë është kaq e emancipuar dhe duhet të shikojë akoma përpara. Kështu që zgjedhjet elektorale nuk janë gara individuale ndaj personave të ndryshëm, por janë gara të subjekteve të cilat shprehin aftësitë e individit. Nuk mendoj se do ketë koalicione të kësaj mënyrë që thoni ju, sepse sikurse thashë, kohët kanë ndryshuar.

Të kthehemi dhe një herë pas. Duke analizuar ato që ju thatë, ju mbeteni të hapur ndaj një bashkëpunimi me Partinë Demokratike në Himarë?

Ne nuk mbyllim asnjë derë. Ne sigurisht bisedojmë pwr marrëdhëniet reciproke, për mënyrat dhe format se si ne mendojmë për të ardhmen e njësisë vendore, e cila konkretisht është Bashkia e Himarës.

E thënë ndryshe, ende nuk ka pasur asnjë bisedë konkrete?

Ende nuk ka pasur asnjë bisedë konkrete, përjashtuar atyre të cilave media është njohur në periudhat e fundit, përsa i përket takimeve dhe bisedimeve të ndryshme që janë zhvilluar rreth ecurisë së njësisë vendore.

Një nga pikat kryesore, në të cilën ndoshta PS-ja bazon mosmbështetjen e kandidaturës tuaj për Bashkinë e Himarës, është dhe raporti i KLSH-së, sipas të cilit në Bashkinë e Himarës dalin në pah një sërë abuzimesh...

Për këtë pikë, unë jam informuar nëpërmjet shtypit, por nuk kam parë as deklaratë të zëdhënësit dhe as të ndonjë personi të autorizuar. Kam parë një deklaratë të një gazetari, i cili prej dhjetë vitesh merret me çështjen “Bollano” dhe i cili, si duket e ka marrë me tender këtë punë, sepse çështjet e kontrollit të shtetit janë tepër të konsumuara për kryetarin e Bashkisë; janë çështje të cilat sipas gjykimit të drejtësisë, kanë kaluar dhe në strukturat e drejtësisë dhe besoj se mendimi i drejtësisë ka qenë mjaft i qartë. Nuk janë çështje, të cilat duhen interpretuar apo keqinterpretuar nga njerëz tek të cilët unë shikoj pak nuanca keqdashëse.

Si e parashikoni këtë fushatë në Himarë, duke pasur parasysh dhe kandidatin që mund të nxjerrë PS, si dhe kandidatin e partisë më të re, MEGA?

Nuk është hera e parë që ne dalim të vetëm në zgjedhjet lokale. Pra, gjatë gjithë periudhës që unë kandidoj, ne kemi zbritur gjithmonë të pavarur, pra nuk është ndonjë gjë e re dhe nuk më bënë aspak përshtypje nëse subjektet e tjera politike do të zbresin kandidaturat. Madje, kjo gjë e bën edhe më të larmishme fushatën elektorale dhe zgjedhjet vendore, kur shpalosen të gjitha mendimet e të gjithë njerëzve, të cilët mendojnë se me filozofinë dhe mentalitetin që do të udhëheqin, do të çojnë përpara shoqërinë tonë. Sigurisht që pyetja juaj ka një vlerë, përsa i përket partisë më të re MEGA. Patjetër që është një parti e re, të cilën ne shpresojmë se nuk paraqet rrezik për kandidaturat e PBDNJ, për arsyen se kjo parti fokuson një çarje të vogël të OMONIA-s apo PBDNJ-së, por mendoj puna, forma, filozofia që i ka udhëhequr njësitë vendore, ku fitoi kandidatura e PBDNJ-së, është ajo shpresa për perspektivën që kjo parti të qëndrojë në krye të njësive vendore, për të shtyrë më përpara situatën ekonomike, politike por edhe sociale të këtyre komuniteteve.

Sa i bindur jeni ju zoti Bollano, që do ta rifitoni Bashkinë e Himarës, i vetëm përballë kandidatëve të tjerë, apo qoftë në koalicion me PD, pasi ky mbetet deri më tani koalicioni më i mundshëm, duke pasur parasysh refuzimin e PS-së?

Nuk mendoj se ka as refuzime, as detyrime. Pra, nuk ka as refuzime për të kandiduar me Bollanon, nuk ka as subjekte që po ndërtojnë një kusht për të kandiduar në bashkëpunim me Bollanon. Bollano ka kandiduar 4 herë i pavarur, i pambështetur nga asnjë subjekt politik, por ka pasur marrëdhënie konstruktive me subjekte të ndryshme. Kështu që besoj që edhe këtë herë, mënyra jonë, filozofia se si ne debutojmë në politikë dhe aq më tepër në politikën vendore dhe me eksperiencën që kemi fituar, mendoj se nuk lë asnjë hapësirë për të keqmenaxhuar, apo mendime dashakeqe të ndonjë individi, i cili edhe mund të ndodhë. Ne, përderisa kandidojmë, jemi të bindur, pasi jemi me eksperiencë, me një background në punë dhe qytetari nuk të vlerëson vetëm për ato çfarë lexon në shtyp, por është dhe kontakti direkt që mban kandidati me qytetarët. Unë mendoj që Partia e të Drejtave të Njeriut do dalë e suksesshme në këto zgjedhje dhe e suksesshme për ne, do të thotë që komunat dhe Bashkitë që zotërojmë, t’i rifitojmë.

Dule: Bollani kandidat për Himarën

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Duke ka shprehur mbështetjen e tij për Vasil Bollanon, si kandidat për Bashkinë e Himarës, në zgjedhjet lokale të 8 majit. Ai theksoi se të gjitha akuzat e ngritura ndaj kreut aktual të bashkisë janë në gjykatë dhe nuk ka përfunduar ende procesi. “Për momentin që po flasim diskutojmë për vendimet dhe përzgjedhjet e PBDNJ-së, kur të vijë momenti për forcat e tjera, do të shprehim edhe mendimet tona. PBDNJ është në fazën e elaburimit të alternativave dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Edhe pse u takon strukturave drejtuese, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, mund t’ju them se kandidatura e zotit Bollano është një kandidaturë e dhënë për Bashkinë e Himarës”, është shprehur Dule. “Duhet të kuptojmë të gjithë se duhet të jemi me këmbë në tokë. Politika duhet të jetë afër qytetarit, komunitetit dhe shqetësimeve të tyre. Duhet të mënjanojmë ato grupime që dëshirojnë të largojnë vëmendjen nga ky realitet. Në shtetin e së drejtës ka një zinxhir institucional që shprehen nëpërmjet vendimesh e relacionesh dhe nuk mund të bëhen pre e trillimeve, qoftë edhe mediatike”, theksoi Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›