PS kopjon PD, shton zgjeron ndjeshëm koalicionit
Zgjedhjet e fundit parlamentare janë bërë mësim për Partinë Socialiste. E kritikuar ashpër, për shkak të koalicionit të vogël që krijojë në këto zgjedhje, ku sistemi zgjedhor në fuqi favorizon të kundërtën, selia rozë ka vendosur që të dalë në garën e ardhshme parlamentare, së bashku me një numër të konsiderueshëm partish, qofshin këto të njohura apo edhe fantazmë. Të bindur se në këtë sistem zgjedhor numri sa më i madh e aleatëve ka vlerë, PS është e gatshme që të paraqitet për t’u regjistruar në KQZ, me një koalicion që pritet të rivalizojë në numër partish dhe koalicionin e djathtë të drejtuar nga PD. Një çështje e tillë është diskutuar dje edhe në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste, ku anëtarët e saj janë njohur me faktin se numri i partive, me të cilat është rënë paraprakisht dakord është shumë më i madh se në zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vitin 2009. Përveç partive të rangut të dytë, siç janë PBDNJ, PSD, PDK apo PDS të cilat kanë pretendime konkrete edhe për krerë të njësive vendore, të gjitha partitë e tjera që janë ofruar në koalicionin e opozitës kanë kërkuar nga socialistët vetëm favorizim apo vende në listat e këshillave bashkiakë apo komunalë. Ndërkohë për sa i përket aleatëve të përhershëm të PS-së, nga burime pranë selisë rozë mësohet se negociatat vijojnë çdo ditë me takime të veçanta mes krerëve të këtyre partive dhe përfaqësuesve socialistë të cilët deri më tani kanë marrë me shkrim të gjitha pretendimet që kanë ata për njësi të veçanta. Megjithatë të njëjtat burime kanë bërë të ditur se ende nuk është konkluduar për ndonjë marrëveshje konkrete për ndarjen e njësive vendore. Megjithatë në bazë të udhëzimit të miratuar dje të drejtën përfundimtare për të miratuar aleancat parazgjedhore do e ketë kryesia e partisë.