E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano sërish në gjykatë. Jepte leje ndërtimi të paligjshme

TIRANE- Sërish në gjykatë Vasil Bollano kreu i Bashkisë së Himarës, dhe sërish me akuzën e shpërdorimit të detyrës por këtë herë jo për heqjen e tabelave në shqip, por për dhënie të lejeve të ndërtimit në Himarë dhe Jalë, në sheshe ku nuk është përcaktuar ende titulli i pronësise. Pas denoncimit nga pronarë të tokave në Himarë dhe Jalë, Vasil Bollano në cilësinë e kreut të Këshillit të rregullimit të territorit në Himarë, është vënë në hetim nga prokuroria e qarkut Vlorë. Pikërisht një ditë më parë, organi i akuzës në Vlorë, ka dorëzuar pranë gjykatës dosjen penale në ngarkim të Vasil Bollanos dhe 4 zyrtarëve të tjerë të Këshillit të rregullimit të territorit në Bashkinë e Himarës, me dy akuza kryesore atë të shpërdorimit të detyrës në 5 raste të dhënies së lejeve të ndërtimit, dhe të falsifikimit të dokumenacionit po 5 herë.

Sipas hetimeve nga prokuroria e Vlorës Bollano ka dhënë leje ndërtimi në favor të personave jo pronarë të tokës, ka dhënë leje ndërtimi në zonat turistike duke shkelur kopetencat e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me procesverbalet e bashkisë, ka dhënë leje ndërtimi në kundërsthim me ligjin për urbanistikën si dhe ka dhënë leje për shesh ndërtimi në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës. Ndërkohë vetëm pak javë më parë Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor kryebashkiaun e Himarës pas akuzimit që i bëri prokuroria, se Bollano hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara. Bollano u dënua me 6 muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë si dhe i hiqet për 3 vjet e drejta e funksioneve publike.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›