E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarë të rrjetit të grave: Topi amnisti për gratë e dënuara

TIRANE- Përfaqësueset e rrjetit "Barazi në vendimmarrje" i kërkuan sot Presidentit të Republikës të trajtojë me përparësi kategorinë e grave në ushtrimin e të drejtës kushtetuese për falje ose ulje dënimi.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi, priti sot paradite një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar "Barazi në vendimmarrje", në kuadër të ditëve sensibilizuese të dhunës ndaj grave e vajzave.

Përfaqësueset e këtij rrjeti vlerësuan rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Kryetarit të Shtetit, lidhur me çështjet e barazisë gjinore e promovimin e gruas në shoqëri, si nëpërmjet mesazheve publike, por edhe emërimeve të grave në institucionet më të larta të shtetit dhe e njohën Kryetarin e Shtetit me projektet e tyre konkrete për arritjen e kuotave gjinore në vendimmarrje dhe projektin më të fundit për gratë që vuajnë dënimin në institucionet e dënimit në vend. Ato vunë në dukje përpjekjet e vazhdueshme për lobing për arritjen e kuotës 30% të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, kuotë që nuk u respektua, sipas tyre, nga vetë politika vendimmarrëse.

Duke vlerësuar tek Presidenti i Republikës tolerancën, qytetarinë dhe konsensusin, përfaqësueset e këtij Rrjeti i paraqitën Kryetarit të Shtetit ndjeshmërinë e tyre lidhur me pabarazinë e diskriminimin që shoqëron gratë që kryejnë një vepër penale, si në ambientin shoqëror, edhe atë familjar. Nisur nga kushtet specifike të grave të dënuara si nëna e bashkëshorte, zonjat e rrjetit “Barazi në vendimmarrje” i kërkuan Kryetarit të Shtetit që ta shohë me përparësi kategorinë e grave në ushtrimin e të drejtës Kushtetuese për falje ose ulje dënimi.

Presidenti Topi i përgëzoi përfaqësueset e këtij Rrjeti për punën e bërë, e veçanërisht për ndjeshmërinë në atë që e quajti "mision fisnik për mbështetjen njerëzore të grave të dënuara, si një tregues i qartë qytetarie". Kryetari i Shtetit vuri në dukje se janë bërë përparime të pamohueshme në përfshirjen e grave në vendimmarrje e natyrisht mund të bëhet më shumë, edhe duke forcuar solidaritetin femëror në sfidat e përbashkëta.
Duke vënë në dukje ndjeshmërinë personale e institucionale për gratë e dënuara edhe nëpërmjet faljeve të mëparshme, dhe duke e konsideruar një akt fisnik dhe shumë transparent kërkesën e Rrjetit për vëmendje për gratë edhe në faljen e ardhshme, në përputhje me trajtimin ligjor, Presidenti Topi i garantoi ato se do e marrë në konsideratë këtë ndjeshmëri të tyre dhe se institucionalisht do angazhohet edhe në lehtësimin e kushteve të tyre në institucionet ku vuajnë dënimin.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›