Bollano shtrembëron demografinë

Në guidën turistike të Himarës, një botim ky i një insitucioni publik, Bashkisë së Himarës, kryhet një tjetër provokacion i rëndë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe autor apo nxitës duket se përsëri është kryebashkiaku i lokalitetit bregdetar, Vasil Bollano.
Në guidën në fjalë, e cila qarkullon në formën e një broshure e që madje është hedhur edhe në internet (http://www.himara.eu/index-al.html), shprehen disa konsiderata tejet absurde rreth përkatësisë etnike të banorëve të Himarës.
Pa pyetur asnjë institucion shtetëror, në kushtet e mungesës së një regjistrimi zyrtar të popullsisë dhe origjinës së tyre etnike, zoti Bollano ka vendosur që 85 përqind e popullsisë së Himarës të jetë greke. Në tekstin në fjalë shkruhet se Himara ka një popullsi kompakte prej rreth 11.100 banorësh ndër të cilët pjesa dërrmuese prej 85% janë me gjuhë amtare greqishten.
Ndërkohë vetëm një vështrim real në terren mund të tregojë se jo vetëm që Himara s’ka 11.100 banorë, porse popullsia e atjeshme s’është as kompakte. Nga të shtatë fshatrat që përbëjnë këtë zonë unikale në Shqipëri, katër prej tyre të njohur për patriotizmin shqiptar (Pilur, Kudhës, Qeparo dhe Vuno) as që e njohin greqishten. Tri fshatrat e tjerë, Himarë, Palasë dhe Dhërmi, kanë një popullsi tejet heterogjene (pra aspak kompakte), ku vetëm një pakicë vetëdeklarohet si greke por edhe këtu është e paqartë nëse me termin “grek” ata nënkuptojnë besimin fetar ortodoks që në Shqipëri shpesh përzihet nga padituria me kombësinë greke, apo vërtet përkatësinë etnike. Mirëpo bashkia e Himarës, ka vendosur të mos I marrë parasysh këto fakte, duke i ofruar publikut përmes një guide çoroditëse një panoramë tërësisht të manipuluar. Guida qarkullon në tri gjuhë, shqip, greqisht dhe anglisht, duke u kthyer kështu në burim dizinformacioni edhe për morinë e turistëve të huaj të interesuar për të pushuar në këtë kënd të Shqipërisë.