Kush e voton proporcionalin?

Nëse votimi i propozimit të dy partive të mëdha për ndryshimet kushtetuese që lidhen me reformën zgjedhore do të kryhej sot, atëherë pa frikë do të merrnin shumicën e kërkuar. Skema e PSD-së mbështetur nga kryetari Skënder Gjinushi, për korrektimin e sistemit proporcional rajonal të propozuar nga dy partitë e mëdha, që pritet të sanksionohet në Kodin Zgjedhor, mundëson shumicën e kërkuar nga Kushtetuta për miratimin e amendimeve prej 94 votash. Nisur nga deklaratat e përfaqësuesve të partive “të vogla” lidhur me propozimin e PSD-së, numri i kartonëve jeshilë në seancë do të shkonte plot 108 deputetë, pra 14 vota më shumë se minimumi i kërkuar nga Kushtetuta. 7 vota i kanë vetë inspiruesit socialdemokratë. Korrektimi në rang kombëtar është pranuar nga demokristianët që kanë 8 vota. Edhe kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi, e ka pranuar proporcionalin rajonal, me “rregullimin” e Gjinushit. Socialistët që çuan të parët mendimin në Kuvend, kanë të paktën 33 votat e firmëtarëve të mendimeve. Por “batica” e kartonëve jeshilë vjen nga demokratët, që në total kanë plot 54 deputetë. Veç 54 deputetëve, nuk duhet harruar që nën “urdhrat” e Sali Berishës janë së paku 5 deputetë të PR-së, që u përfshinë në listën e 3 korrikut 2005 nga PD-ja, në “këmbim” të mbështetjes më të madhe për republikanët. Duke i mbledhur gjithë ata që deri më sot e kanë pranuar proporcionalin rajonal, padyshim me korrektimin e të njohurit prej vitesh si mjeshtër i llogarive elektorale, Skënder Gjinushi, numri i votave tejkalon numrin 94 të sanksionuar në Kushtetutë. Neni 177, pika 3 përcakton se projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e gjithë anëtarëve të Kuvendit, që do të thotë 94 deputetë. Ky numër është mëse i kalueshëm nisur nga deklaratat që përfaqësuesit e partive të vogla kanë bërë deri më sot, veç PSD-së që është vetë propozuesve dy të mëdhenjve që janë nismëtarë të ndryshimeve kushtetuese, duke lënë të hapur mundësinë e pranimit të socialdemokratëve. Nard Ndoka i PDK-së e ka mbështetur proporcionalin rajonal të korrektuar, ashtu sikundër kreu i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi. Madje, 108 votat edhe mund të arrihen. Katër deputetët e PS-së që nuk kanë firmosur ende.,nuk kanë saktësuar votimin e tyre kundër. Po ashtu, as republikanët nuk e kanë hedhur poshtë propozimin e Gjinushit, kur vetë kreu i grupit parlamentar, Arian Madhi i tha “Korrierit”: “Duke qenë se Gjinushi është një ekspert për llogaritjet, atëherë ai duhet ta bëjë konkret atë propozim. Ne si Parti Republikane, nëse e shohim si projekt të arsyeshëm, do ta pranojmë dhe do të japim edhe mendimet tona për zgjidhjet e mundshme. Propozimi i tij më duket i vonuar, pasi duhet të ishte bërë që në fillim kur nisën diskutimet”. Të njëjtin qëndrim kanë edhe dy deputetët PAA-së. Absolutisht kundër deri më sot janë LSI-ja, PAD-ja, PDR-ja dhe PDS-ja. Por, cilido qoftë qëndrimi i këtyre të fundit, ligjërisht edhe me praninë e votave kundër propozimi miratohet, mjafton që kartonët jeshilë në favor të amendimeve të jenë të paktën 94. Nëse ndryshimet kushtetuese që lidhen me reformën zgjedhore, vijnë në Kuvend të ndara nga ato që lidhen me Presidentin e Prokurorin e Përgjithshëm dhe duket se kanë shanse mëse të mëdha për të kaluar. E kundërta, pra sjellja e tyre si një paketë e përbashkët për votim, do t’i vështirësonte gjërat. Një pjesë e mirë e partive të vogla që mund të pranonin ndryshimet për reformën, së pari PSD-ja, nuk do të votonin “pro”. Vetëm kushtëzimi i PD-së, për kalim në një paketë të përbashkët, mund të prishte ekuilibrat në favor të ndryshimeve kushtetuese. saqellari@korrieri.com