E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet mosha e pensionit

ISSH, përcaktohen kushtet e reja për të përfituar pension pleqërie për 2008-2009

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar të gjithë nivelet mbi mënyrën sesi ndryshon mosha e pensioneve gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, 2009-ës. Kështu për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension për burrin është 57 vjeç, ndërsa për gruan është 52 vjeçe. Ndërkohë, periudha e sigurimit të viteve është përcaktuar 28 për burrin dhe 28 për gruan. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin dhe për gruan. Kështu, 62 dhe 57 vjeç është mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie si për burrin, ashtu edhe për gruan, ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë është 35 vite punë. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për t’u bërë një përfitues i një pensioni pleqërie është 63 dhe 58 vjeç si për burrin, ashtu edhe për gruan. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Kurse për vitin 2009, për punë të kategorisë së parë mosha për të përfituar pensionin e pleqërisë është 57 dhe 52 për burrin dhe gruan, ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë, me rreth 29 vite punë. Për punë të kategorisë së dytë, kushtet e përllogaritura për t’u bërë përfitues zgjerohen më shumë me 62 vjet e 6 muaj dhe 57 vjet e 6 muaj për burrin dhe gruan, duke pasur gjithashtu një vjetërsi pune të njëjtë me 35 vite punë. Për punë të kategorisë së tretë, mosha për t’u bërë përfitues është 63 vjet e 6 muaj dhe 58 vjet e 6 muaj, ndërsa vjetërsia e punës në vite mbetet e njëjtë me atë për punë të kategorisë së dytë me 35 vite punë. Në rastin kur bëhet fjalë për një vit më vonë, edhe për nënat që janë me shumë fëmijë mosha për të përfituar mbetet e njëjtë me atë të kushteve të përcaktuara të një viti më parë. Kështu, 50 vjeç dhe 30 vite punë janë kushtet që duhet të plotësojnë të gjitha nënat që në të ardhmen duan të bëhen përfituese të një pensioni pleqërie. Në kategorinë e parë në përgjithësi përfshihen punët në nëntokë. Në të dytën, në mënyrë masive përfshihen mësuesit dhe pedagogët, ushtarakët me grada, si dhe punët drejtuese dhe shfrytëzuese. Ndërsa në kategorinë e tretë futen përgjithësisht nëpunësit dhe punonjësit e shërbimit. Tre janë profesionet dominuese të klasifikuara sipas tri kategorive, që janë dhe më favorizuarat në rastet e aplikimit për të përfituar një pension pleqërie. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ish-minatorët dhe industria e rëndë përfitojnë të parët. Mësuesit dhe ushtarakët me grada janë pjesë e kategorisë së dytë, ndërsa nëpunësit bëhen përfitues të kategorisë së tretë. Në kategorinë e parë në përgjithësi përfshihen punët në nëntokë, në ish-industritë ushtarake, në ish-industritë kimike, aviatorët dhe shkrirësit në metalurgji dhe fonderi. Në kategorinë e dytë, masivisht përfshihen mësuesit dhe pedagogët, ushtarakët me grada, si dhe punët drejtuese dhe shfrytëzuese në minierat në sipërfaqe, punonjësit e mekanizmave të rënda (ekskavatoristë, buldozeristë, vinçierë). Ndërsa në kategorinë e tretë futen përgjithësisht nëpunësit dhe punonjësit e shërbimit.  Kështu, për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të kenë kryer një punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. “Kjo vjetërsi duhet verifikuar nga aplikuesit, pasi shumë prej minierave apo industrive kimike dhe ushtarake janë mbyllur dhe një pjesë e ish-punonjësve të këtyre ndërmarrjeve u është dashur të punojnë në punë të tjera, të cilat mund të mos përputhen me të njëjtën kategori, si puna e mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›