E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolonja, miratohen masterat e rinj

Pas një viti ndërprerjeje, shkollat e larta hartojnë programin e ri të masterave. Këtë vit, për herë të parë, studentët diplomohen sipas sistemit të Bolonjës në përfundim të vitit të tretë të fakultetit. Pas kësaj diplome Baclehor, secili prej tyre mund të zgjedhë një master njëvjeçar, i cili kushton 150 mijë lekë në vit. Ndryshe nga deri tani, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, nuk lëshon vetëm diploma unike për mësuesi, por edhe për redaktori, arkivist, turizëm, etj. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë, Shezai Rrokaj, ka treguar për gazetën "Shqip" të gjithë programin e ri të masterave që do të zbatohet në fakultet duke nisur nga tetori i këtij viti.

Për herë të parë pas përfundimit të studimeve të nivelit të parë trevjeçar, studentët mund të ndjekin masterin. Ai do të jetë i shumëllojshëm dhe jo vetëm për mësuesi. "Nëse më parë çdo student që mbaronte te ne i shënohej në diplomë mësues, tani do të jetë ndryshe, studentët mund të ndjekin edhe studimet për redaktori, apo arkiva", tha Rrokaj.

Këtë vit, të gjithë studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, madje të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës përfundojnë shkollën e lartë me sistemin e ri trevjeçar. Në qershor, ata marrin diplomën Bachelor. Më tej, ata që dëshirojnë, në muajin tetor mund të aplikojnë për Masterin e Nivelit të Parë. Ky master zgjat një vit dhe do të pranohen të gjithë studentët që dëshirojnë ta ndjekin", shprehet Rrokaj. Ai shton se ky është master me pagesë, por për ata që do të zgjedhin degën e mësuesisë, është propozuar që një pjesë e tarifës të subvencionohet nga shteti. Por Masteri i Nivelit të Parë ka edhe drejtime të tjera. Departamenti i Letërsisë do të nxjerrë përpos mësuesisë edhe master për bibliotekë. Departamenti i Gjuhësisë do të lëshojë Master të Nivelit të Parë (MNP) për mësuesi dhe për redaktori. Historia për arkivistë dhe për mësuesi. Ndërsa gjeografia ka një gamë më të gjerë masterash. Ato janë: mjedis, gjeomorfologji, rregullim territori, turizëm, etj. Pra një student që mbaron këtë vit studimet Bachelor për gjeografi mund të ndjekë sipas dëshirës njërin nga këto mastera. Sa i përket Departamentit të Gazetarisë, Rrokaj sqaroi se nuk do të ketë ndryshime, do të vijojnë masterat ekzistues, pasi kjo degë është reformuar më parë sipas Bolonjës.

Por çfarë do të bëhet në vitin e studimeve master për mësuesi. Rrokaj tregon se pjesën më të madhe të krediteve, këta studentë do ta marrin nga lëndët pedagogjike. Plot 20 kredite janë nga lëndët që do të jepen nga pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale, 20 kredite nga lëndët profesionale të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe 10 i ka mbrojtja e diplomës. Ndërsa drejtimet e tjera si arkiva, apo redaktimi do të kenë një kurrikul krejtësisht të re.

Ky është niveli i parë i masterave që duhet t‘i nënshtrohen vetëm ata që mbarojnë këtë vit shkollën e lartë. Të diplomuarit para 2008-ës kanë më shumë akses. "Diploma e tyre njësohet me diplomën e nivelit të dytë të sistemit të Bolonjës dhe kjo kategori ka të drejtë që të hyjë direkt në Masterin e Nivelit të Dytë (MND, i cili është paradoktoraturë. Ndërsa ata që diplomohen tani duhet të bëjnë Bachelor dhe Master I, për t‘u hedhur te Master II. Master II është i baras vlefshëm në SHPU-në e mëparshme. Ata që e kanë përfunduar SHPU-në duhet të mbrojnë direkt mikrotezën e doktoraturës. Ndërsa ata që kanë mbaruar vetëm shkollën e lartë katërvjeçare në këtë fakultet duhet të ndjekin Masterin e Nivelit të Dytë dhe Doktoraturën që zgjat dy vjet dhe është vetëm me frekuentim të pjesshëm në fundjavë. Fakulteti ende nuk ka përcaktuar se cilët do të jenë specializimet e reja të Masterit të Nivelit të Dytë. Fakulteti ka propozuar që ky master të jetë me një pagesë prej 150 mijë lekësh në vit. Për sa u përket kuotave të pranimit, Rrokaj sqaron se "ato i vendos Ministria e Arsimit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›