E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi, Nikolin Jaka kërkon t‘i bjerë për shkurt

Ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, që janë arrestuar për korrupsion, janë përpjekur të mos e zgjasin shumë procesin e tyre gjyqësor, që ka nisur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Në seancën e parë të procesit, avokatët mbrojtës të Nikolin Jakës, Ilirjan Berzanit, Arjan Shetit, Bashkim Kamberit, Isuf Ukperajt, Skënder Bokçiut dhe Xhevahir Muçogllavës kanë kërkuar nga trupi gjykues procedimin me gjykim të shkurtuar, ndoshta për të përfituar lehtësirat që parashikon ligji në rast të një dënimi të mundshëm të tyre. Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre gjithsesi kanë rezervuar të drejtën që të shprehen lidhur me akuzën gjatë konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes. Ata janë duke u gjykuar për akuzat e "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "Shpërdorimit të detyrës", "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" dhe "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike".

Lidhur me këtë kërkesë të parashtruar nga mbrojtja, prokurori i çështjes ka deklaruar se fashikulli ku ndodhen lista e dëshmitarëve të akuzës dhe deklarimet e tyre gjatë procesit hetimor nuk janë përfshirë në dosjen e themelit. Sipas tij, thëniet e rreth 20 dëshmitarëve që janë pyetur në lidhje me këtë proces, së bashku me deklarimet e të pandehurve, do t‘i bëheshin të ditura gjykatës gjatë prezantimit të kërkesave paraprake si dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor. Për këtë arsye, prokurori kërkoi që gjykata duhej me doemos të njihej me materialet e kësaj dosjeje dhe këto dëshmi përpara se të vendoste lidhur me gjykimin e shkurtuar. Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Martin Deda, ka kërkuar që t‘i vihet në dorëzim ky material dhe në momentin që prokurori ka paraqitur një dosje voluminoze, rreth 10 centimetra të trashë, ai është shprehur se do t‘i duhej kohë për të shqyrtuar këtë material. Në këtë mënyrë, gjykata ka vendosur që shtyjë seancën dhe në të njëjtën kohë të shtyjë vendimin për pranimin ose jo të gjykimit të shkurtuar. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve u arrestuan në shtator të vitit 2007 në kuadër të operacionit të koduar, "Duar të Pastra". Ata akuzohen për afera korruptive në tenderimin e disa akseve rrugore kombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›