Besa shkarkon Starovën, emërohet Iljaz Haxhia
Sulejman Starova i ka dhënë lamtumirën Besës, pas vendimit që drejtuesit e skuadrës kavajase morën dje për shkarkimin e tij. Humbja me Elbasanin në kampionat e bëri të pashmangshëm ndryshimin në stolin e kësaj skuadre, që e filloi sezonin si pretendente për trofe, por që duket se nuk do të sigurojë as pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Pakënaqësitë ndaj trajnerit kanë qenë të vazhdueshme, kryesisht nga tifozeria kavajase, e cila nuk ka pranuar lehtësisht largimin e rumunit Silviu Dumitresku, që e drejtoi ekipin në pjesën e parë të sezonit dhe u largua ndërsa ekipi ishte në formë të shkëlqyer dhe plotësisht në luftë për titull. Një qëndrim i tillë i tifozerisë u përforcua më shumë pas ndeshjes së fundjavës, kur ultrasit kërkuan në kor largimin e Starovës, pasi panë përsëri ekipin duke u mundur nga një tjetër skuadër pretendente për kreun. Për trajnerin kryeqytetas, ky ishte shkarkimi i dytë brenda këtij sezoni, sepse në fazën e parë u largua nga stoli i Tiranës, pasi zhvilloi vetëm javët e para të kampionatit. Ndërkohë, presidenti Bizhdili ka bërë të ditur se në vend të trajnerit kryeqytetas, skuadrën do ta drejtojë deri në fundin e sezonit Iljaz Haxhia, i cili deri tani ka mbajtur rolin e zv/trajnerit në radhët e skuadrës kavajase.