Bolonja, shoku i qelisë në kërkim si vrasës i shqiptarit
BOLONJA-Policia italiane ka hedhur dyshime se vrasja e emigrantit shqiptar në Bolonja mund ta ketë zanafillën që në kohën kur 25-vjeçari ndodhej në burg. Ardit Myrtaj, i njohur me pseudonimin “Dushi”, mbeti i vrarë me thikë në një lokal në periferi të Bolonjas të shtunën në darkë. Mediat italiane, duke iu referuar policisë lokale dhe dëshmive të miqve të viktimës, shkruajnë se Arditi ishte grindur me një tjetër shqiptar, të quajtur Ilirian Lela, 35 vjeç. Ky person, sipas policisë italiane, është i skeduar disa herë nga policia dhe është me precedentë në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe i hetuar për vrasje me paramendim. Madje policia shumë shpejt ka bërë edhe lidhjen mes dy shqiptarëve, duke verifikuar që viktima dhe i dyshuari si autor, disa vite më parë janë arrestuar në të njëjtën kohë për shpërndarje lëndësh narkotike dhe kanë qenë në të njëjtën qeli. Sipas mediave italiane mësohet se grindjet mes dy të rinjve shqiptarë kishin filluar në burg, kur një vit më parë vuanin dënimin. Një dëshmitar që ndodhej në lokalin ku u vra 25-vjeçari nga Vlora, Ardit Malaj, tregon se ka dëgjuar të dyshuarin si autor, që tashmë policia e ka shpallur në kërkim, i cili e akuzonte Arditin duke i thënë se ishte fajtor për arrestimin e tij. Disa dëshmitarë të tjerë kanë thënë se pikërisht atë natë, të shtunën, dy shqiptarët ishin parë në lokalin “Willi il Coyta”, në periferi të Bolonjas. Personat e pranishëm në lokal i kanë thënë policisë se pasi debatuan bashkë, një shqiptar tjetër hyri në mes për t’i ndarë. Në një moment ata kanë shtrënguar duart dhe janë përqafuar. Por kur 25-vjeçari është drejtuar për nga dalja e lokalit, Ilir Lela e ka qëlluar në zemër nga mbrapa. Hetuesit po verifikojnë akuzat dhe kanë shpallur në kërkim Ilirian Lelën, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e emigrantit Ardit Malaj. Sipas mediave italiane mësohet se i riu nga Vlora, kishte marrë tre goditje me thikë, një në shpinë, një në shpatullën e majtë dhe një afër zemrës, e cila mund t’i ketë shkaktuar dhe vdekjen, pasi viktima kishte humbur shumë gjak. Myrtaj pasi është goditur ka tentuar të largohej duke dalë nga bari nga një derë tjetër, e ndryshme nga ajo që kishte hyrë, por nuk ka mundur të mbijetojë.