Korçë, sanatoriumi i ri mbetet bosh, nuk ka pajisje
KORÇE - Mungesa e pajisjeve lë jashtë funksionit sanatoriumin e Korçës. Prej disa muajsh ka përfunduar rikonstruksioni i ndërtesës ku do të transferohet sanatoriumi. Por për mungesë të pajisjeve, vënia në funksionim duket se do të jetë e largët. Në këtë ndërtesë më parë funksiononte spitali infektiv. Por për shkak të amortizimit të rëndë të tij ai u braktis. Të sëmurët infektivë u transferuan në katet shtesë pranë pavijonit të neurologjisë. Vitin e kaluar, me një fond prej mbi 41.4 milionë lekësh, godina e braktisur u restaurua me synimin që aty të sillej sanatoriumi, por prej tetë muajsh ka mbetur e shkretë, pasi nuk po çelet fondi për shtretër, tavolina, karrige, dollapë e pajisje për ekzaminimet shëndetësore. Krahas zvarritjes së çeljes së fondit, mësohet se është lënë pas dore edhe godina ku aktualisht është vendosur sanatoriumi rajonal. Aty nuk janë kryer punimet për rikonstruksionin e sistemit të kaldajës së ngrohjes. Për rrjedhojë, ulja e temperaturave po krijon vështirësi për pacientët e shtruar me sëmundjet e pneumologjisë e të tuberkulozit. Banorëve të Korçës u ka shkaktuar vështirësi të shumta edhe zgjatja dy vjet tej afateve të paracaktuara e rikonstruksionit të plotë të poliklinikës. Ditët e fundit ajo ka përfunduar dhe pritet që të përurohet, por në mjediset e saj nuk mund të fillojë puna pasi mungojnë aparaturat për ekzaminim. j.gj