“Hipoteka s’ka hartën e pronave”
Fatos Mahmutaj
Hipoteka e Tiranës nuk disponon një hartë të saktë treguese për regjistrimin e pronave sipas zonave ku ato ndodhen. Lajmi bëhet i ditur në raport-kontrollin e përgatitur dy javë më parë, në bazë të të cilit u pushuan nga puna regjistruesja e kryeqytetit Dorina Stringa dhe 13 vartës të saj, si dhe u paralajmëruan për pushim 39 punonjës të ZVRPP, Tiranë. “Ashtu siç e kemi trajtuar dhe në kontrollet e mëparshme, problemi i Hartës Treguese të Regjistrimit mbetet problemi kyç, akoma i pazgjidhur. Gjendja fizike dhe standardi i hartës në ZVRPP Tiranë, është në nivel kritik që po shkon drejt degradimit total. Megjithë përpjekjet pjesore që janë bërë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së HTR-ve, ato kanë ndikuar shumë pak, ose aspak në përmirësimin e punës në ZVRPP Tiranë. Metodikat e përdorura dhe investimet e kryera në këtë drejtim kanë qenë të pamjaftueshme”, thuhet në raportin e kontrollit. Më tej grupi i kontrollit pohon se për sa i përket përgjegjësisë, ajo, në lidhje me këtë problem, nga ana e ZVRPP Tiranë është në nivelin më të ulët të mundshëm. “Për shkak të mënyrës së organizimit të punës në Hipotekën e Tiranës, nivelit të ulët profesional dhe mungesës së përgjegjësisë, veprimet për azhornimin e Hartës Treguese të Regjistrimit nga punonjësit e ZVRPP Tiranë janë të pakontrolluara dhe e të pamonitoruara. Në asnjë moment të punës me HTR, nuk kontrollohet veprimi i kryer në të. Edhe kur firmosen kopjet e hartës, titullarët e Hipotekës Tiranë nuk ushtrojnë kontroll mbi planshetat e punës”, bëhet e ditur në raport. Ndërkohë grupi i punës që kreu inspektim në Hipotekën e Tiranës, në lidhje me problemin e hartave treguese të regjistrimeve pohon se ka evidentuar faktin se ekziston më shumë se një planshetë pune për çdo nomenklaturë të Hartave Treguese, duke sjellë për pasojë faktin se në asnjë kopje pune nuk ndodhet informacioni i plotë i përditësuar. “Hartat e punës nuk kanë të njëjtin informacion me gjithë se janë kopje, ka shënime me laps, ka mbulime me korrektor. Hartat e punës kanë deformime të mëdha, që kalojnë saktësinë e lejuar që kërkon shkalla e saj. Hartat e punës kanë dëmtime të mëdha, si grisje apo çarje, ku mungojnë fare pjesë të grisura edhe në mes të hartës”, thuhet në raport. Pas analizimit të problemit të Hartave Treguese të Regjistrimit, në raport është shënuar se duke qenë se puna në harta ndikon direkt në cilësinë e shërbimeve, në respektimin e afateve të përpunimit dhe trajtimit të kërkesave dhe garantimin e të drejtave të pronësisë, është detyrim ligjor rregullimi i gjendjes së tyre. Në fund thuhet se nuk janë zbatuar detyrat e lëna nga Kryeregjistruesi në raportin e vitit 2007, me të cilin u shkarkua nga detyra ish-regjistruesi i atëhershëm i Tiranës dhe më shumë se dhjetë specialistë.
Kontrolli, 14 shkarkime dhe 39 vërejtje
Raporti i kontrollit për periudhën janar 2008 – gusht 2009 në Hipotekën e kryeqytetit “kryqëzoi” pak ditë më parë 14 punonjës të këtij institucioni, të cilët u larguan nga detyra së bashku me regjistruesen Dorina Stringa, e cila e drejtoi këtë zyrë prej një viti. Ndërkohë 39 vartës të tjerë të saj morën vërejtje e deri dhe paralajmërime për pushim nga puna. Motivi i shkarkimit ishin shkeljet e rënda që kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës. Në raportin me 244 faqe që përpiloi grupi i kontrollit, gjeti me shkelje pjesën më madhe të punonjësve të këtij institucioni, ndërsa disa prej këtyre shkeljeve janë klasifikuar si vepra penale dhe të dënueshme sipas Kodit Penal në fuqi. Në raport janë klasifikuar si shkelje të tilla, grisja e dokumenteve, asgjësimi i qëllimshëm i tyre, fshehja e tapive të zonës së Kasharit, mos arkivimi i dokumenteve, korrigjimet e ndryshme me korrektor nëpër kartela, mosfshirja e regjistrimeve, humbja e dokumenteve, lënia e vendeve apo fletëve bosh nëpër regjistra, si dhe mjaft të tjera, por që për asnjë prej punonjësve nuk është kryer denoncim në prokurori. f.m.
Rekomandimi për Hartat Treguese të Regjistrit
TIRANE – “Hartat e punës duhet të skanohen, gjeoreferencohen, dhe të printohen bardhë e zi, çdo dy javë. Skanimi, gjeoreferencimi, dhe printimi, të filloj nga shkalla 1:2500 të zonave intensive në periferi të qytetit të Tiranës dhe të vazhdoj për të gjitha hartat, sipas grafikut që do të përgatisë ZVRPP Tiranë. Hartat e punës të deri tanishme të dorëzohen në arkiv. Hartat e punës të reja të jenë vetëm në një kopje. Në hartën e punës të punohet me trashësi vije standard, me rapidograf me majë 0,25 mm – 0,3 mm, me ngjyrë të kuqe. Hartat e zonave që nuk kanë përdorim të përditshëm apo nuk kanë ngarkesë mund të skanohen, gjeoreferencohen e printohen ne një afat më të gjatë, sipas propozimit të drejtuesit të zonës apo përgjegjësit përkatës. Materialet hartografike që vijnë nga ALUIZNI, të kërkohen edhe në bazën matematike të hartave tona, në mënyrë që të bëhet e mundur hedhja e informacionit të tyre në hartat e punës së zyrës”, rekomandohet në raport. f.m.