E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, studentët dhe turqit rritin qiratë e banesave

 

KUKES - Po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e një banese me qira në qytetin e Kukësit, madje çmimet kanë arritur kulmin në gjithë këto vite, duke u dyfishuar. Një dhomë e kuzhinë, e pamobiluar shkon deri në 10 mijë lekë, ndërkohë që çdo student që kërkon strehim e ka të paracaktuar se do të paguajë përveç dritave dhe ujit edhe 5 mijë lekë. Nga 420 studentë që ka në këto dy vite të hapjes së tij dega e UT-së në Kukës, 30% e tyre janë nga rrethet e tjera dhe kërkojnë strehim në qytet. Këtij numri i shtohen edhe 40 studentë nga trojet shqiptare jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë që pritet të bashkohen së shpejti në auditorë. Sipas drejtuesve të universitetit dhe Bashkisë së Kukësit nuk është garantuar që në fillim strehimi i studentëve dhe këtë ata duhet ta zgjidhin vetë, por shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një kampusi universitar, i cili do të mundësojë dhe zhvillimin paradite të së gjithë mësimit si dhe strehimin e studentëve. Ndërkohë, bashkia po mendon që vendet e lira në konviktin e ri që do të mbeten pas akomodimit të nxënësve të shkollave të mesme t’ua vërë në dispozicion studentëve. Veç studentëve, edhe prania e shumë punonjësve dhe specialistëve të huaj që punojnë në ndërtimin e tunelit të Kalimashit dhe në autostradë ka rritur kërkesat për qira. Kjo ndodh në një kohë kur në 20 vitet e fundit nuk është ndërtuar asnjë pallat apo kompleks banimi përveç shtëpive private në periferi të qytetit. Rritje marramendëse kanë pësuar dhe shtëpitë që shiten duke u gjashtëfishuar me 10 vite më parë, atëherë kur një hyrje e zakonshme 1+1, kushtonte 4 milionë lekë të vjetra. Hapin e parë të rritjes së çmimeve e dha kriza e Kosovës kur në qytet kishte 5 herë më shumë banorë të ardhur se sa kishte qyteti.                         j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›