E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolt nuk ndalet, “biri i erës” rekord për ditëlindje



“Djaloshi-mrekulli”, “njeriu më i shpejtë në planet”, “biri i erës’. Xhamajkani Usain Bolt, i cili pikërisht sot, më 21 gusht mbush 22 vjeç, i meriton të gjitha këto epitete. Të mërkurën ai vendosi një rekord të ri botëror në garat e shpejtësisë, duke vendosur kohën e re në 200 metra me 19”30 sekonda, duke thyer kështu rekordin 12-vjeçar të mbajtur nga një kampion i madh si Majkëll Xhonson.
Bolt u bë njeriu i parë në botë që thyen dy rekorde në 100 metra e 200 metra brenda një Olimpiade. Përveç Karl Luisit në vitin 1984 askush tjetër nuk kishte arritur të fitonte në Lojërat Olimpike garat e 100 dhe 200 metrave.
Specialistët e parashikonin performancën e jashtëzakonshme të “Supermenit” Bolt, pasi ai bëri një paraqitje jashtëtokësore kur theu rekordin e 100 metrave në kohën 9”69. Por, ndryshe nga gara e 100 metrave kur Bolt humbi disa të dhjetat të çmuara, pasi ngadalësoi ritmin duke festuar para përfundimit të binishit, në garën e 200 metrave, Usain nuk festoi derisa ai kaloi finishin. Xhamajkani bëri një galop të fuqishëm duke lënë gati pesë metra ndjekësin e tij më të afërt, duke mahnitur të gjithë shikuesit në “Folenë e zogut”. Është e natyrshme që ta quash atë “Njeriun më të shpejt në botë”, por Bolt mund të jetë sprintieri më i madh i të gjitha kohërave.
Menjëherë pas Lojërave Olimpike të Pekinit, më 29 gusht Usain Bolt do të vrapojë në 100 metra në “Golden League” në Zyrih të Zvicrës. Lajmin e dha menaxheri i atletit xhamajkan, Riki Sims. Bolt ka në program edhe dy kompeticione të tjera në fillim të muajit shtator: më 2 shtator në “Super Grand Prix” në Lozanë të Zvicrës në 200 metra dhe më 5 shtator në “Golden League” në Bruksel në garën e 100 metrave.

Tabela e medaljeve
V Shteti Ar Argj Br Tot
1 Kina 45 14 20 79
2 SHBA 26 28 28 82
3 Britania 16 10 11 37
4 Rusia 13 14 18 45
5 Australia 11 12 13 36
6 Gjermania 11 8 9 28
7 Koreja J. 8 10 6 24
8 Japonia 8 6 9 23
9 Italia 6 7 7 20
10 Ukraina 5 5 8 18

* 80 vende kanë arritur të sigurojnë të paktën nga një medalje.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›