Ekspedita “Amantia 2008”, arkeologët dyshojnë se kanë gjetur portretin e Afërditës
Arkeologët e ekspeditës shqiptaro-amerikane “Amantia 2008” e kanë nisur me sukses punë e tyre, pasi që në ditët e para kanë zbuluar një terakotë prej balte të pjekur në formë kallëpi me figurën e një gruaje. Sipas tyre, mendohet terakotë është portreti i perëndeshës së bukurisë, Afërdita. “Terakota, që përbën formën ‘negative’ të portretit të perëndeshës, është gjetur në pozicion të përmbysur, thuajse në sipërfaqe, në pjesën qendrore të bllokut të banesave antike të kësaj qyteze. Ajo ka përmasa 15 cm lartësi dhe 9 cm gjerësi”,- pohon për këtë zbulim drejtori i Parkut, Gëzim Llojdia. Sipas tij, portreti në një kallëp prej balte paraqet një fytyrë të bukur të një gruaje me flokë në të dy anët e fytyrës, me një kurorë të vendosur mbi kokë, dhe me gjoksin të mbuluar me një hiton transparent, që mund të konsiderohet si një veshje joshëse. Ajo është shumë e ngjashme me të tjera portrete të Afërditës, perëndeshës së bukurisë dhe njëkohësisht nënës së Erosit, perëndisë së dashurisë.
Arsyet
Arsyet që i bëjnë arkeologët të mendojnë se bëhet fjalë për një portret të perëndeshës së bukurisë, janë të shumta. Ata nisen nga vendi ku është gjetur terakota, mënyra e veshjes transparente, gjoksi i zhvilluar i figurës, linjat e fytyrës, kurora mbi flokë dhe mbi të gjitha prania në Amantia e Tempullit të Afërditës, që ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit. Për këtë Llojdia thekson se pavarësisht se pamja e brendashkruar në terakotë lexohej lehtësisht, për arkeologët e entuziazmuar së tepërmi nga zbulimi i këtij objekti të rrallë, ishte e vështirë të dalloheshin tiparet, çka përbënte edhe veçantitë e portretit. Për të krijuar një ide më të afërt për përkatësinë dhe përngjashmërinë e figurës, me portretet më të njohura të lashtësisë, ata i janë drejtuar skulptorit gjirokastrit, Stefan Papamihali (Skulptor i Merituar). Në bashkëpunim me artistin gjirokastrit, arekologët mundën të realizojnë një kopje prej balte të portretit. Pas studimeve të bëra, u arrit në konkluzionin se figura në terakotë ka shumë ngjashmëri me disa portrete të njohura të perëndeshës së bukurisë, Afërditës, të zbuluara më parë nga arkeologë të ndryshëm në vend.
Studimi
Megjithatë, pas marrjes në dorë dhe studimit më të hollësishëm të portretit të nxjerrë nga kallëpi prej skulptorit gjirokastrit, specialistët e arkeologjisë që e gjetën atë, nuk përjashtojnë mundësinë se portreti i gjetur për shkak të kurorës, mund t‘i përkasë edhe motrës së Zeuzit, Demetrës, perëndeshës së pllenimit, bujqësisë, familjes dhe martesës. Megjithatë, terakota e zbuluar, sipas drejtueses së ekspeditës, prof. Shpresa Gjongecaj, do t‘i nënshtrohet studimeve më të detajuara. Duke i’u referuar arkeologut S.Anamali, drejtori i Parkut, Gëzim Llojdia, shprehet: “Kulti i Afërditës ka qenë i përhapur në Amantia, e cila në këtë qytet antik mbante epitetin Pandamos, si përendeshë e dashurisë së lire”. Sipas tij, deri tani nuk është zbuluar ndonjë paraqitje skulpturale e Afërditës. Në rrënojat e Amantias është zbuluar dikur një pllakë e vogël guri, që ishte një kushtim për perëndeshën Afërdita nga ana e Aristos, bijës së Aleksandrit.
Projekti
Projekti arkeologjik, si një bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë, Universitetit të Sinsinatit (SHBA) dhe Zyrës së Parkut Arkeologjik të Amantia-Orikumit, i financuar nga Qendra për Trashëgiminë Shqiptare, që mbështetet nga Packard Humanitie Institute, synon të mbledhë informacione në terren për të përgatitur më pas një hartë të saktë dixhitale për këtë qytet antik e mjaft të rëndësishëm të Ilirisë së Jugut, që administrohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në grupin e arkeologëve të kësaj ekspedite survejuese, që është pararendëse e një tjetër ekspedite më të gjerë në vitin e ardhshëm, bëjnë pjesë arkeologë vendas dhe të huaj, mes të cilëve, prof. Shpresa Gjongecaj, drejtore e Institutit të Arkeologjisë, prof. Ass. Dhimitër Çondi, prof. Ilir Gjipali, arkeologu amerikan prof. dr. Devid Hernandes, i Universitetit Sinsinati në SHBA, arkeologia angleze Mast Emili Glass dhe dy studentë shqiptarë, Mirgen Shametaj dhe Mentor Osmani.
Historia e qytetit antik Amantia
Qyteti antik i Amantias, një qytet me vlera të rëndësishme historike dhe arkeologjike. Amantia, është një nga qytezat antike në rrethin e Vlorës, me vlera të rëndësishme historike e arkeologjike. Në muajin janar të vitit 2006, kjo qytezë mori statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik. Qyteza antike e Amantias ndodhet pranë fshatit Ploçë, rreth 40 km larg qytetit të Vlorës, në një lartësi prej 680 metra mbi nivelin e detit. Ajo çka është zbuluar prej kësaj qendre antike, shtrihet në një pllajë mali me drejtim nga jugperëndimi, në një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 15 ha. Për të shkuar aty, duhet të përshkosh një rrugë në pjesën më të madhe malore, që lidh qytetin e Vlorës me disa fshatrat mes të cilave, Vajza e Sevasteri. Arkeologët që zbuluan Amantian ishin Frano Prendi, Hasan Ceka e Skënder Anamali. Ata udhëhoqën gërmimet që nisën në vitin 1949 deri në 1956. Gërmimet zbuluan gjurmët e një prej qyteteve të rëndësishëm të antikitetit. Përveç mureve rrethuese të Akropolit dhe portave të qytetit, janë zbuluar edhe stadiumi, tempulli i Afërditës, nekropoli me varret monumentale, kisha e ndërtuar në shekullin I pas Krishtit etj. Stadiumi është i përbërë nga 17 shkallë në pjesën ballore, 8 shkallë në pjesën lindore dhe 4-6 shkallë në atë jugore. Ky objekt(stadiumi), është ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Sipas arkeologëve, Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit, ndërkohë që dy shekuj më vonë u shndërrua në një qendër të rëndësishme ekonomike, politike e kulturore e banuar nga amantët, një prej fiseve ilire të kohës. Me fuqizimin e shtetit të Epirit, Amantia u përfshi në Lidhjen Epirote deri në vitin 230 para Krishtit. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Në shekujt e parë të kohës sonë, Amantia luajti një rol të rëndësishëm në luftërat civile të Perandorisë Romake. Pas pushtimit romak, qyteti u shndërrua në një nyje të rëndësishme të rrugëve që kalonin nga Apolonia, për në Epir e Maqedoni. Në shekullin VI, Amantia u bë qendër peshkopate. Qyteza është vizituar vitin e kaluar nga rreth 650 vizitorë, mes të cilëve mjaft turistë të huaj.
21 Gusht 2008