E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zanieri: “UNMIK-u mbetet në vendbanimet serbe”



Me gjithë pritjet për reduktimin e stafit të UNMIK-ut dhe shtrirjen e EULEX-it, shefi i administratës ndërkombëtare Lamberto Zanieri bëri të ditur se UNMIK-u do të ruajë praninë e tij në vendbanimet me popullatë serbe dhe me popullatë të përzier. Procesin e rikonfigurimit të administratës së Kombeve të Bashkuara, shefi i kësaj administrate, Lamberto Zanieri, e ka cilësuar si proces që pasqyron gjendjen e re në terren. Ndërsa UNMIK-u do të reduktojë stafin, EULEX-i do të shtrihet në terren, dhe me këtë rast Zanieri tha se UNMIK-u do të ruajë një prani në Kosovë sidomos në vendbanimet me popullatë serbe apo me popullatë të përzier. “Ne do të mbetemi të pranishëm në Pejë, Graçanicë, Shtërpcë dhe sigurisht edhe në Mitrovicë”,- tha Zanieri, në një takim me gazetarët. Ndërkaq lidhur me doganat, Zanieri pranoi se është e domosdoshme që në veri të Kosovës të shtrihet pushteti legal, pasi atje gjithçka është jashtë kontrollit çka vlerësohet se po shfrytëzohet për kontrabandë dhe kalime të pakontrolluara të mallrave.

De Marnak: “Forca e re e sigurisë do të jetë forcë civile”

Komandanti i trupave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali Havier de Marnak, në një intervistë për mediat ka thënë se forca e re e sigurisë në Kosovë, pas transformimit të TMK-së, do të jetë një njësi për mbrojtje civile. Ai tha se kjo forcë do të ketë përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.
De Marnak tha se forca e re e sigurisë do të jetë shumëkombëshe, ashtu siç pretendojnë, sipas tij, të bëhen edhe institucionet kosovare në të ardhmen. Sipas tij, strukturat paralele në veri të Kosovës, janë pjesë e mjedisit politik që nuk është stabilizuar ende. Ai tha se kompletimi i mjedisit politik do të ndihmojë në konsolidimin e qëndrueshmërisë dhe të sigurisë.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›