NATO pezullon kontaktet e rregullta me Rusinë
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, kanë bërë të ditur se për aq kohë sa Moska të mos tërhiqet nga Gjeorgjia, bashkëpunimi i alenacës me Rusinë mund të bllokohet. Gjatë një deklarate të përbashkët Rusisë iu kërkua të tregojë me fjalë dhe vepra se vazhdon t’u qëndrojë besnike atyre parimeve në të cilat bazohet bashkëpunimi i NATO-s me Rusinë. Ministrave të Jashtëm të NATO-s u mbetet t’i besojnë fuqisë së fjalëve të tyre, sepse mjete të tjera në thelb nuk ekzistojnë, për të vepruar kundër Rusisë. Rusia mund të pakësonte si kundërmasë dërgimet e energjisë në Europë, gjë që mund ta prekte rëndë pjesën europiane të NATO-s. Një izolim ekonomik i vendit gjigand në epokën globale gjithsesi nuk është i mundur. Dhuna ushtarake përjashtohet. Prandaj edhe shumica e shteteve anëtare të NATO-s janë të gëzuara që Gjeorgjia nuk është krejtësisht anëtare e NATO-s ose formalisht kandidat për anëtarësim. Ndërkohë presidenti rus Dimitri Medvedev është shprehur se trupat ruse do të tërhiqen nga Gjeorgjia, në pozicionet e parapara në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga presidenti francez Nikolas Sarkozi deri më 22 gusht. Në një bisedë telefonike me Sarkozi, Medvedev tha se deri më 22 gusht një pjesë e paqeruajtësve do të tërhiqen në zonën e përkohshme të sigurisë. Rusia ka bërë të ditur se trupat e saj do të mbeten të stacionuara në zonën përreth rajonin separatist të Osetisë Jugore, deri në kohën kur Moska vlerëson se kjo është e nevojshme. Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ruse Anatoli Nogovitsyn tha se koha do të tregojë se sa gjatë do të qëndrojnë paqeruajtësit rusë në këtë zonë neutrale. “Marrëveshja ofron avancimin e trupave ruse në këtë zonë në rast të ndonjë konflikti. Me fjalë të tjera, ky është një kufi administrativ me Osetinë Jugore, por ne kemi të drejtë, nën kushte të caktuara, që të avancojmë në kufijtë e tërë zonës së përgjegjësisë”,- është shprehur Nogovitsyn. Më herët, Rusia hodhi poshtë rezolutën propozuar që u paraqit në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktin në Gjeorgji. Rezoluta u bënte thirrje trupave ruse të tërhiqeshin nga Gjeorgjia. Sipas ambasadorit rus në OKB, Vitali Çurkin dokumenti duhet të përfshijë dhe mbështetjen për marrveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti francez.
21 Gusht 2008