Bomba nga Beogradi
Është më se e mundur që shumë diplomatë të Bashkimit Evropian të mos e duan edhe aq pinjollin e Boris Tadiçit, Vuk Jeremiç, për shkak të agresivitetit e të arrogancës së këtij, por fakti se si po ky Jeremiç i ka dyert e hapura gjithandej nëpër Evropë dhe kontinente të tjera, do të duhej të ishte një leksion i mirë për të gjithë ne se si bëhet diplomacia. Është për t’u trishtuar, por shumë më tepër për t’u frikësuar se si Beogradi, Ministria e Jashtme e atjeshme dhe krejt aparati i shtetit serb mundet, di, kalkulon, manipulon, shkund, çrrënjos, zhvendos dhe kalon dete e oqeane, rrugë e rrugica që ta ndalojë e sulmojë, ta plagosë e ta vrasë shtetin fqinj: Republikën e Kosovës.
Paramendojeni skenën: Ministri i Jashtëm në qeverinë e Republikës së Serbisë ulet dhe dërgon 80 shkresa te homologët e tyre gjithandej në botë, në mënyrë që këta të “shpjegojnë” a “arsyetojnë” për Gjyqin e Lartë të Hagës pse nuk e kanë njohur dhe, më për qejf të Jeremiçit, nuk do ta njohin Republikën e Kosovës. Në mënyrë që menjëherë po ky ujk serb ta marrë avionin për të udhëtuar drejt Nju-Jorkut, ku do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, nga udhëheqja e radhës e Këshillit të Sigurimit, nga vendet anëtare të përhershme të po Këshillit të Sigurimit e kështu me radhë, e kështu me radhë.
Paramendojeni kundërskenën tjetër: në Prishtinë po bie shi dhe një asistent a truprojë ia mban ombrellën ministrit tonë të Jashtëm që të mos e lagin pikat e shiut, pasi ky ka pasur një ditë... si t’i themi.... fare të zakonshme... Ka qëndruar deri në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ka thënë atë që u tha, është mbrojtur paksa nga “ai” i AAK dhe është kthyer në zyrë për të përgatitur “akte nënligjore” apo për të na paralajmëruar ndonjë njohje të re. Kaq. Dhe sërish me të moçmen. Kam qenë një prej atyre që nuk kanë qenë kundër Skënder Hysenit - sidomos kur ky e pati marrë postin. Me logjikën e thjeshtë që Hyseni, parë nga konstelacioni partiak i LDK, ishte zgjedhja e duhur, nëse për asgjë tjetër, atëherë së paku për faktin që këtij i kishte rënë ta shëtiste botën me Plakun e ndjerë, që kishte mësuar paksa nga vetitë dhe gjuha diplomatike.
Ndërkohë, kam filluar të tërhiqem nga ai mendim dhe të vijë te konkluzioni që Hyseni, jo vetëm që po tregohet i paarrirë për pozitën që ka, por në fakt ai nuk po mundet asgjë të lëvizë nga vendi. Shkaqet për këtë natyrisht që nuk mund t’i vishen vetëm atij, sepse sistemi është i këtillë. Kur një shtet është pa koncepte e thellësi në politikë në përgjithësi, e në atë të jashtmen në veçanti, atëherë nuk kemi pse ta gjejmë fajin vetëm te një njeri. Sidoqoftë, ajo që te Hyseni dhe sidomos te dy shefat e tij, Sejdiu e Thaçi, po trishton e frikëson, është mungesa totale e vetëreflektimit që sekondat, minutat, orët, ditët e netët, javët e muajt po ikin dhe nuk po kemi asgjë, ama asgjë që do të jepte edhe shpresën më të vogël të lëvizjes para. Përkundrazi, dita-ditës kemi grumbuj njerëzish e problemesh, në rrafshin virtual e atë real. Kur grumbujt e veteranëve apo të të papranuarve në FSK mblidhen para zyrave të shtetit për t’ua lëshuar rendin banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, për të vazhduar me sindikatat, për të kthyer vëmendjen nga Mitrovica, prej ku vetëm një xixë e vogël konflikti mund ta ndezë tërë rajonin, e kështu me radhë, e kështu me radhë. Në mënyrë që fare në fund të na vijnë “fintet” e Jeremiçit, i cili, nëse nuk e dini, po na e bën po ashtu jetën kaq të vështirë.
Të kuptohemi, zonja dhe zotërinj të pushtetit aktual në Republikën e Kosovës: pritjet për ju kanë qenë tepër të mëdha, sepse edhe më të mëdha ishin premtimet. Tashmë në vend më nuk ka pritje. Kemi rënë në fazën e dëshpërimit. Dhe derisa ditët tuaja në pushtet nga këndi juaj po ecin me shpejtësi marramendëse (as vetë nuk po e kuptoni sa shpejt po u shkojnë ditët), pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet mot apo pas dy motmotesh, populli, qytetarët e thjeshtë po bien në letargji që mund të shndërrohet në një rebelim, të cilit nuk do të mund t’i bëjnë ballë as EULEX e besa as KFOR. Dhe për të qenë edhe më të qartë: nuk është ajo që ju po e shkatërroni këtë vend. Sepse populli i Kosovës ka duruar dhe ka mbijetuar shkatërrues shumë më me nam. Problemi është që po e humbim hapin dhe vrullin, elanin dhe dëshirën për të bërë diçka të hairit. Nuk e di kush ju rrethon pos gazetarëve që nga pesë a gjashtë herë në ditë ua mbajnë mikrofonat përpara që populli ta dëgjojë “Hoxhë Alinë&Ali Hoxhën” për prosperitetin, por ajo që di është: nëse vazhdoni kështu, kur njëherë ta humbni këtë pushtet që tash e keni, zor do ta keni ta riktheni.