E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Problemi me pronat po mban peng investimet në turizëm

Nga Armand Maho

Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, tha dje se çështja e pazgjidhur e pronësisë po lë pezull investimet në vendin tonë. Ai i bëri deklarimet gjatë një seminari të organizuar nga Bashkimi Evropian me temë: “E drejta e pronës: instrumente dhe zgjidhje të mundshme për qeveritë për të zvogëluar kostot e shkëmbimit nga pikëpamja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta”.

Lohan e vuri theksin te moszhvillimi i një sektori jetik për Shqipërinë, siç është turizmi, për shkak të konflikteve për titujt e pronësisë.

“Të drejtat e pronës janë pjesë e themeleve të demokracisë dhe ekonomisë moderne, dhe ndikojnë çdo sferë të aktiviteteve të një shoqërie.

Në sferën ekonomike, pasojat e titujve të pronësisë me konflikt janë të qarta dhe të prekshme. Asnjë investitor, vendas ose i huaj, nuk ka vullnetin për të investuar pa garancinë bazë të pronësisë.

Në fakt, turizmi, një nga sektorët kryesorë të Shqipërisë për zhvillimin ekonomik vazhdon të vuajë nga paqartësia për titujt e pronësisë. Potenciali i madh i brigjeve shqiptare është zbuluar kohë më parë, dhe vizitat e investitorëve të interesuar kanë qenë të shumta. Megjithatë, investimet aktuale në turizëm në zonën e bregdetit vazhdojnë të mbeten të fragmentarizuara dhe minimale, pikërisht për shkak të çështjes së pazgjidhur të pronave”, - tha Lohan.

“Konflikti për pronësinë ka të tjera implikime. Mbështetja e paktë ligjore dhe mekanizmat e forcimit bëjnë që gjykatat të jenë të lidhura me çështjet e pronësisë.

Tipike është që një konflikt për pronësinë zgjat disa vite për t’u zgjidhur nga gjykata, duke dëmtuar zhvillimin e njësisë kryesore të aktivitetit ekonomik, familjes, por dhe duke shkaktuar shumë frustrime.”

Ambasadori i KE theksoi se çështja e pronave ndikon dhe në problemet sociale që ka shoqëria shqiptare. “Mezi gjendet një familje shqiptare që nuk ka përjetuar një konflikt për çështje pronësie në një mënyrë ose tjetër. Pasojat sociale janë ndjerë për një kohë të gjatë dhe për fat të keq shumë prej tyre përfundojnë me dhunë. Forcimi i të drejtave të pronës dhe zgjidhja e çështjeve të lëna pezull, si kompensimi dhe legalizimi, janë thelbësore për mirëqenien e përgjithshme të Shqipërisë. Titujt e qartë të pronësisë dhe siguria ligjore janë kushte esenciale për zhvillimin e vendit, tërheqjen e investimeve të huaja direkt, paqen sociale dhe për procesin e integrimit të vendit në BE”, - u shpreh Lohan.

Seminari për pronat, ekspertë të vendeve ish-komuniste shkëmbejnë eksperienca

Organe qeverisëse, agjenci donatore, si edhe ekspertë ndërkombëtarë për çështjet e pronës janë mbledhur në Tiranë për seminarin e mbështetur nga Bashkimi Evropian. Seminari do të zgjasë dy ditë dhe synon të gjenerojë zgjidhje për çështjet kryesore që lidhen me pronën në sistemin ligjor shqiptar, konkretisht me regjistrimin e pronës, kthimin dhe kompensimin, si edhe legalizimin.

Seminari që po mbahet synon të diskutojë pikërisht çështjen e pronës në Shqipëri në lidhje me investimet e huaja të drejtpërdrejta. Qëllimi është që të gjenden instrumente për të siguruar të drejtat e investitorëve vendas dhe të huaj kundrejt regjistrimit të shumëfishtë, falsifikimeve dhe pretendimeve të mundshme mbi tokën. Për këtë arsye, seminari është ndarë në dy pjesë, analizën e gjendjes së tanishme në Shqipëri dhe në përvojën e vendeve të tjera në zgjidhjen e të njëjtës çështje.

Ekspertë nga vende të ndryshme të BE, përfshirë ata të vendeve ish-komuniste, si Republika e Çekisë dhe Polonia, do të shkëmbejnë përvojat e vendeve të tyre duke paraqitur studime të rasteve mbi tema si blerja e tokës në mbështetje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në zonat industriale në Republikën e Çekisë, traktate dypalëshe investimi si një garanci për të drejtat e pronësisë së investitorëve, kuadri ligjor polak për blerjen e tokës nga investitorë të huaj, blerja e tokës në kuadër të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Poloni, blerja e tokës për qëllime publike në Poloni, si edhe procesi i blerjes së tokës nga vendasit dhe të huajt në Greqi.

Balla: Qeveria i dha 5 milionë dollarë dhëndrit të Berishës

Deputeti socialist, Taulant Balla, tha dje në Kuvend se tashmë çdokush që do të bëjë biznes në Shqipëri duhet të lidhet me familjen kryeministrore. “Edhe për 143 ditë, çdo kompani huaj apo vendase që dëshiron të bëjë biznes në Shqipëri në privatizime, koncesione, shitje tokash, shitje dhe blerje armësh e municionesh, ndërtime rrugësh, autostradash, fshatrash turistikë, pastrim parash, hapje dhe licencim njësish lojëra fati, kazino, shitje energjie elektrike, hidro dhe termocentrale, import vergine për naftë, benzinë me shumë plumb, duhet të kalojnë medoemos nga familja e kryeministrit.

Ky është një rregull që tashmë e dinë të gjithë të huajt që vijnë të bëjnë biznes në Shqipëri. Prandaj, Shqipëria ishte mirë në vitin që shkoi në Raportin “Doing Business”, sepse në këtë vend gjithçka është e mundshme. Lidhu me familjen biologjike, lyeje mirë dhe dyert i ke të hapura. Rasti më i fundit, ku vetë Banka Botërore ka hetuar dhe denoncuar pisllëqet e bëra në emër të vetë Bankës, me qëllimin e vetëm pastrimin e një zone të caktuar bregdetare, përmes buldozerëve të shtetit, është rast tipik i një grupi mafioz, që përdor shtetin dhe ligjin për interesa private dhe personale”, - tha Balla.

Më pas ai përmendi skandalin e dhëndrit të Berishës me projektin e Bankës Botërore. Balla tha se qeveria i ka dhënë dhëndrit të Berishës 5 milionë dollarë.

“Në qendër të këtij skandali kësaj radhe është dhëndri i vetëm i Sali Berishës, zoti Jamarbër Malltezi.

Më lejoni t'ju informoj se ky zotëri drejton projektin “Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare”, i cili financohet: përmes një kredie të butë nga Banka Botërore, kontributit të qeverisë shqiptare me mbi 5 milionë dollarë, si dhe granteve nga Bashkimi Evropian, qeveritë e Holandës, Austrisë dhe Japonisë, si dhe Fondi për Mjedisin Global.

Pra, dhëndrit të Sali Berishës, qeveria e Sali Berishës i ka dhënë pesë milionë dollarë që të shembë shtëpitë banorëve të Jalës.

Në raportin e panelit investigativ të Bankës Botërore thuhet se ky zotëria është njeriu që i ka kërkuar atëherë Lulzim Bashës (ministër i Transporteve dhe Punëve Publike), dhe policisë ndërtimore të prishë ato në shtëpi në Jalë, disa prej tyre edhe 300-vjeçare.

Ajo që të vjen keq është që ministri i linjës, del dhe sulmon Bankën Botërore. Është aq qesharak, saqë përdor të njëjtat fjalë me vetë dhëndrin, se gjoja raporti i inspektimit të Bankës nuk bazohet në fakte”, - vijoi më tej Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›