Clinton gjunjëzon Berishën para drejtësisë shqiptare
Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar në një takim me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, se do të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit.
Berisha ka dhënë garanci para Clinton për një gjë të tillë, edhe pse kishte deklaruar se Gjykata Kushtetuese kishte konflikt interesi me shqyrtimin e ligjit. Pas takimit, në një prononcim për mediet, zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit, Stuart Jones, tha se ata nuk i kishin dhënë asnjë sugjerim Sali Berishës për lustracionin, por ai kishte dhënë garanci dhe ata i kishin mirëpritur.
“Sekretarja Clinton dhe kryeministri Berisha patën një takim të shkëlqyer dhe theksuan marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve.
Kryeministri e falënderoi sekretaren Clinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë gjatë këtyre viteve.
Ndërsa sekretarja Clinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO.
Çështja e ligjit të lustrimit u ngrit në takim, sekretarja Clinton pyeti për të dhe z. Berisha e siguroi atë se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim”, - tha Jones.
Këtë e ka pohuar dhe vetë Berisha.
“Sikundër u trajtua problemi i ligjit të lustracionit, një trajtim shumë i hapur miqësor dhe i sigurova sekretares së Shtetit dy gjëra, së pari, nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash për të përkundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhjeje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast. Çdo qytetar, i cili preket nga ky ligj, ka të drejtën e tri shkallëve të sistemit gjyqësor, sikundër edhe të shkojë më Strasburg”, - tha Berisha.
Ai ka garantuar para Clinton se vendi do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Takimi ishte një rast i shkëlqyer për mua për të siguruar sekretaren se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, për të kërkuar vëzhgues nga qeveria e SHBA dhe vendeve të tjera mike që t’i mbikëqyrin, monitorojnë zgjedhjet, për të cilat, së pari, qeveria është e angazhuar të nderojë standardet, por të nderojë dhe miqtë kudo në botë”, - tha Berisha.
Kryeministri shqiptar është i treguar i gatshëm për të shtuar numrin e trupave shqiptare që shërbejnë në Afganistan, ndërsa duke folur për mundësinë e pranimit të të burgosurve të Guantanamos në Shqipëri, ai tha se mirëpret vendimin e Obamës për mbylljen e burgut dhe është në pritje të çdo kontakti të mëtejshëm për shpërndarjen e të burgosurve.
Berisha: Ndërkombëtarët kanë të drejtë, kufizohen të drejtat, por ligji i lustracionit do zbatohet
Kryeministri, Sali Berisha, flet për gazetën shqiptare “Illyria” që botohet në Shtete e Bashkuara
Ligji për hapjen e dosjeve është pritur me rezerva nga BE, OSBE dhe SHBA dhe kërkohet rishikimi i tij. Pse vijnë këto mospajtime nga bashkësia ndërkombëtare për një ligj që i është dashur shumë më herët Shqipërisë?
Problemi ka të bëjë jo me një fenomen, por me një realitet, nga i cili Shqipëria patjetër duhet të ndahet në mënyrë të qytetëruar. Themelore është kjo: ka pasur Shqipëria krime kundër njerëzimit apo nuk ka pasur? Ka kryer sistemi komunist në Shqipëri krime kundër njerëzimit? Krimet kundër njerëzimit janë krimet, torturat, vrasjet, ndjekjet për qëllime politike. Kësaj pyetjeje i është dhënë përgjigje përfundimtare se Shqipëria ka pasur krime kundër njerëzimit nga sistemi komunist më shumë se Çekia, Polonia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, po të përjashtosh revolucionin e 54, të gjitha të marra bashkë, shumë më tepër. Po jap vetëm një shifër: Gjermania Lindore në 45 vjet ka pasur vetëm 250 qytetarë të ekzekutuar me gjyq për qëllime politike, kurse Shqipëria numëron vetëm gra në procese politike rreth 800, pa llogaritur sa kanë vdekur kampeve, pa llogaritur sa janë ekzekutuar pa gjyq. Po flas pra për gratë. A duhet Shqipëria të ndahet nga kjo e shkuar? Shqipëria duhet të ndahet nga kjo e shkuar. Po të marrësh historinë e vendeve ish-komuniste, ky debat është kudo i gjallë. Vjet, Rumania ka vënë ligjin për të çuar për ndjekje penale ata që kanë kryer këto krime. Atëherë, a mundet që të ndërmerret një zinxhir i pafund procesesh penale ndaj atyre që kanë kryer këto krime? E vështirë kjo. Nuk mendoj se është e mundshme, por një formë për ndarje prej sa duhet, sepse, po s’u ndave, ato mbeten aty. Kjo pjesë e shoqërisë që është së paku 25 për qind e saj, kërkon një ngushëllim, një respekt. Çfarë respekti sheh ajo, kur në krye të drejtësisë shqiptare janë të vendosur ata që kanë urdhëruar, kanë vendosur për vrasjen e një poeti të ri, për fajin e vet, se guxoi të përmendë termin ‘të drejtat e njeriut’ në vargjet e tij? Çfarë respekti ndjejnë ata, kur në vitin ‘90, pasi u hoq ligji për tradhti të lartë për ata që arratiseshin, u ekzekutuan në kufij me dhjetëra, në mos qindra të rinj dhe në disa raste trupat e tyre u zvarritën ditën për drekë në sheshin e qyteteve si Saranda dhe Shkodra, të lidhur me tela me gjemba? Kurse një nga ata ishte deri para tri javësh njeriu kryesor i hetimeve në Shqipëri.
Çfarë synon ky ligj? Ky ligj synon një gjë: të ndahemi nga këto krime. Të tjerët po e bëjnë me procese gjyqësore. Ne nuk po e bëjmë me procese gjyqësore. Ne themi, dilni me një anë, sepse këta dolën me një anë njëherë në ‘95 dhe për fat të keq, kur u kthyen socialistët në pushtet, aprovuan pikërisht nenet që nuk duhej t'i preknin. Kur unë u bëra kryeministër, gjeta në Shërbimin Sekret shqiptar tre ish-drejtorë të Sigurimit të Shtetit si këshilltarë të shtetit të Enver Hoxhës.
Na thoni konkretisht, cilat janë vërejtjet e bashkësisë ndërkombëtare për ligjin e dosjeve?
Shiko, pse bëhen vërejtje. Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një kufizim të të drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë. Jo. Shqipëria ka ndjekur një linjë. Po të marrësh ligjet e republikave baltike, janë shumë më të ashpra, ligji polak i kujtesës kombëtare është me seksione prokurorie dhe gjykate, pra është shumë më i ashpër. Ky i yni është në mes. Është një model çek.
Si do të zbatohet ky ligj, kur llogaritet se shumë dosje janë zhdukur?
Dakord, kjo qëndron, por mendimi i përgjithshëm është që ato që janë duhet të hapen. Shiko, kur kam ardhur në Nju-Jork për herë të parë, unë kam thënë që dosjet të mos hapen. Pse? Pikërisht, jam nisur nga kjo që thua ti. Por, mendimi im u kundërshtua edhe unë rashë dakord. Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty.