Nuk është koha për zvogëlim të mbrojtjes
Zyrtarët e Pentagonit kanë nxjerrë në shesh fjalën se Zyra për Menaxhim dhe Buxhet ka urdhëruar një zvogëlim prej 10 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes për vitin e ardhshëm fiskal, duke i dhënë sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates, një buxhet dukshëm më të vogël nga sa ai ka kërkuar. Ja ku janë pesë arsye, pse presidenti Obama duhet të përkrahë Gates-in.
Nuk ka kuptim fiskal që të zvogëlohet buxheti i mbrojtjes, kur gjithkush po kacavirret për masa që të stimulohet ekonomia. Nën buxhetin e tanishëm të Pentagonit, kontraktuesit e mbrojtjes do të nisin të mbyllin vijat e prodhimit gjatë viteve të ardhshme dhe do të nxjerrin njerëz nga puna. Në vend që t'i zvogëlojë, administrata e Obamës duhet t'i rrisë shpenzimet e mbrojtjes. Ashtu si e ceku tash vonë ekonomisti i Harvardit, Martin Feldstein, shpenzimi në mbrojtje është saktësisht harxhim, i cili mund të ketë ndikim të menjëhershëm në ekonomi.
Një reduktim i shpenzimeve të mbrojtjes këtë vit do të demoralizojë aleatët e Amerikës dhe do të pengojë përpjekjet për të fituar bashkëpunim më të madh. Tashmë, ekziston një ndjenjë përreth botës, e ushqyer nga autoritetet e papërgjegjshme këtu në Amerikë, se SHBA është në rënie të skajshme. Shumica kanë frikë se kriza ekonomike do të bëjë që SHBA të tërhiqet nga përgjegjësitë e saj jashtë vendit. Lajmërimi i zvogëlimit të mbrojtjes do të merret nga bota si dëshmi se sprapsja amerikane ka filluar.
Kjo do ta bënte më të vështirë shtytjen e aleatëve që të bëjnë më shumë. Administrata e Obamës me të drejtë planifikon që të inkurajojë aleatët evropianë që të rrisin aftësitë mbrojtëse, në mënyrë që të ndajnë barabar barrën e përgjegjësive globale. Ky do të jetë një pazar i vështirë, nëse SHBA zvogëlon vetë buxhetin e mbrojtjes. Në Afganistan, tashmë ka brenga se SHBA mund të ketë “mbetur pa frymë.” Në Pakistan, ushtria dhe anëtarët e saj mendojnë se zotimi i Amerikës në këtë rajon po dobësohet. Një zvogëlim i fondeve të mbrojtjes do të ushqejë këto perceptime dhe do ta bëjë më të vështirë për të dërguarin special të Obamës, Richard Holbrooke, që të shtyjë për ndryshime të duhura në këto dy shtete.
Ajo që i brengos aleatët, i gëzon dhe i trimëron kundërshtarët potencialë. Administrata e Obamës me të drejtë kërkon biseda direkte me udhëheqësit në Teheran. Por shanset tashmë të vogla për sukses do të zvogëlohen edhe më shumë nëse udhëheqësit iranianë besojnë se SHBA së shpejti do të tërhiqet nga pjesa e tyre e botës. Zëdhënësi i presidentit Mahmoud Ahmadinejad tashmë ka deklaruar se SHBA ka humbur fuqinë e vet, vetëm sepse presidenti Obama tha se është i gatshëm të bisedojë. Imagjinoni si do të përforcohej ky perceptim, nëse Obama fillon zvogëlimin e fondeve të një force, e cila ashtu-kështu nuk ka fonde të mjaftueshme.
Njëlloj, administrata e Obamës me të drejtë dëshiron të fillojë negocimet me Rusinë rreth mbrojtjes raketore dhe kontrollit të armëve. Por është një hap i parë i keq të lajmërohet zvogëlimi amerikan i shpenzimeve të mbrojtjes para se të fillojnë negociatat. Nëse udhëheqësit e Rusisë besojnë se SHBA po kërkon një rrugëdalje nga sistemi i armëve, e posaçërisht nga mbrojtja raketore, ata do të negociojnë në bazë të kësaj gjëje. Ata në fund të fundit mund të pyesin se pse të bëjnë një marrëveshje.
Zvogëlimi i buxhetit të mbrojtjes do të ketë pasoja në pjesë të tjera të buxhetit, e posaçërisht në ndihmën e jashtme. Disa republikanë tashmë kanë filluar të gjëmojnë për shkak të ndihmave të jashtme dhe shpenzimeve për zhvillim. Nëse administrata e Obamës fillon duke zvogëluar mbrojtjen, do ta ketë shumë më të vështirë që të bindë republikanët që të përkrahin ndihmat për jashtë.
Përfundimisht, çdokush e di se ushtria e SHBA është tendosur shumë. Disa mund të shpresojnë se Obama mund të fillojë të zvogëlojë nivelet e forcave të SHBA në Irak këtë vit. Pa dyshim, ai mund ta bëjë këtë deri në një masë. Raundi i fundit i zgjedhjeve është vetëm njëri nga tri raundet: zgjedhjet lokale janë në qershor dhe zgjedhjet parlamentare shumë të rëndësishme janë në dhjetor. Kryetari i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali David Petraeus, nuk do të rekomandojë një zvogëlim të mprehtë, kur po ndodhin aq shumë gjëra në këtë shtet.
Aq më shumë, çfarëdo reduktimi të forcave të SHBA në Irak do t'i bashkëngjitet një rritje e forcave në Afganistan. Pesha mbi forcat tokësore të SHBA, madje edhe me reduktime në Irak, nuk do të lehtësohet deri në fund të vitit të ardhshëm. Dhe kjo mund të ndodhë, vetëm nëse situata në Irak mbetet e qetë, ka përparime në Afganistan dhe Pakistani nuk eksplodon dhe se kurrfarë ngjarjesh të paparapara nuk kërkojnë veprimin amerikan.
Në një kohë kur njerëzit flasin për paketa stimuli prej biliona dollarësh, zvogëlimi për 10 për qind i buxhetit të mbrojtjes është lëmoshë, posaçërisht kur kemi parasysh çmimin e lartë që e paguajmë, kur është në fjalë pozita globale e Amerikës. SHBA shpenzon afro 4 për qind të prodhimit vjetor në mbrojtje. Në vitin 1962 shifra ishte 9 për qind. Disa luftëtarë anti Luftës së Ftohtë të pa rikonstruktuar nga vitet ‘80, mund të shohin revolucionin Obama si kthim në ditët e mira të betejës kundër shpenzimeve të mbrojtjes të Ronald Reagan-it. Por kjo nuk është mënyra se si Barack Obama garoi për president. Ai nuk premtoi zvogëlime në mbrojtje. Në të kundërtën, ai thirri për forca shtesë për ushtrinë dhe marinsat. Ai insistoi se ushtria amerikane duhet të mbetet më e fuqishmja dhe e pajisur më së miri në botë. Në fjalimin e inaugurimit presidenti Obama ua kujtoi amerikanëve se shteti ende është në luftë. Duke qenë kështu, kjo nuk është koha për të dobësuar Forcat e Armatosura.