Transparenca e buxhetit, Shqipëria ndër të fundit në botë
Buxheti i qeverisë shqiptare është shumë pak transparent. Në këtë përfundim arrin një studim i Iniciativës për Buxhet të Hapur, një organizatë me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria ka buxhetin më pak transparent në të gjithë Evropën, renditja e saj në tabelën e 85 vendeve të marra në studim është tronditëse, ajo ofron informacion minimal për buxhetin dhe në krah të saj ka vetëm shtete si Mongolia, Tanzania apo Venezuela. Shqipëria është i vetmi shtet evropian që renditet në grupin e vendeve që ofrojnë informacion minimal. Vendet e marra në studim ndahen në vende që ofrojnë informacion intensiv, vende që ofrojnë informacion domethënës, vende që ofrojnë ca informacion, vende që ofrojnë informacion minimal dhe vende që nuk ofrojnë informacion.
Hartuesit e studimit thonë se, sa më pak informacion të ofrohet, aq më shumë rritet mundësia për korrupsion dhe abuzim me paratë publike.
“Renditja e Shqipërisë në Indeksin e Buxhetit të Hapur tregon se qeveria i ofron publikut informacion minimal në lidhje me buxhetin qendror të qeverisë dhe aktivitetet financiare gjatë vitit buxhetor. Kjo e bën të vështirë për qytetarët që ta mbajnë qeverinë nën presion për të qenë e përgjegjshme në lidhje me menaxhimin e parave publike”, - thuhet në pjesën e këtij raporti për Shqipërinë.
“Një nga dokumentet më të rëndësishëm që duhet të bëhet i njohur është dhe ai për propozimet e buxhetit ekzekutiv. Ai duhet të përmbajë planet ekzekutive për vitin e ardhshëm së bashku me koston e aktiviteteve të propozuara. Propozimi duhet të jetë i hapur për publikun dhe legjislativin përpara se të finalizohet, të paktën tre muaj përpara fillimit të vitit buxhetor, që të lejojë debatin publik dhe rishikimin e nevojshëm të tij.
Në Shqipëri, ky propozim ofron informacionin minimal për publikun, duke nënkuptuar se qytetarët nuk kanë një panoramë të qartë të planeve të qeverisë për taksat dhe shpenzimet gjatë vitit të ardhshëm.
Për më tepër, është e vështirë që të gjurmohen shpenzimet, mbledhja e të ardhurave dhe borxhet gjatë vitit”, - vijon më tej raporti.
Në përgjithësi, në botë, gjendja është negative. “Studimi i Buxhetit të Hapur, një vlerësim në lidhje me transparencën e buxheteve në 85 vende të botës, arrin në përfundimin se gjendja e transparencës së buxheteve në botë është e tmerrshme. Kjo inkurajon shpenzimet e papërshtatshme, korruptive dhe të pakujdesshme”, - thuhet në raport, i cili shton se, megjithatë, me pak shpenzime mund të rritet transparenca e buxhetit.