E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kreditë për ekonominë kanë rënë ndjeshëm për shkak të krizës

Nga Fitim Zekthi

Gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar ka qenë i shtrënguar për kreditë për ekonominë duke pasqyruar efektet e para të krizës ekonomike. Banka e Shqipërisë bën me dije në raportin e saj të fundit se kredia për sektorin privat ka rënë në gjashtëmujorin e dytë dhe kahja e saj është duke u bërë gjithnjë e më e dukshme. Bankat kanë shtrënguar dhënien e kredive, ndërkohë që raporti mes depozitave dhe kredive ka lëvizur duke e ulur sasinë e kredive në raport me depozitat. Banka e Shqipërisë tha se rënia e kredive në gjashtëmujorin e dytë nuk ka qenë e madhe, sa të ndikojë në mënyrë ndjeshme sektorin privat. Banka i trembet rënies së mëtejshme të kredive duke qenë se kriza ekonomike botërore javë pas jave është duke u bërë shumë më e thellë. Kredia për ekonominë në Shqipëri, ndonëse më e ulët sesa në vendet e tjera të rajonit, ka njohur rritje të konsiderueshme gjatë tre viteve të fundit dhe ajo është parë si një prej mjeteve më të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit. Rënia e kredive dhe nevoja në rritje për pará nga biznesi do ta bëjë shumë më të vështirë ruajtjen e nivelit aktual të afarizmit në ekonomi. Vendet e punës do të vihen në dyshim dhe kjo do të ndihmohet edhe nga një sërë efektesh të tjera të krizës ekonomike veç rënies së kredive. Dërgesat e emigrantëve kanë rënë, eksportet janë duke përjetuar muajt më të vështirë që prej vitit 2005, fuqia blerëse dhe konsumi raportojnë rënie. Banka e Shqipërisë pak ditë më parë uli normat e interesit, me qëllim që të nxiste rritjen e kredive duke qenë se ato mund të bëhen më të lira. Bankat e nivelit të dytë ndërkohë ka disa muaj që i kanë shtrënguar shumë dhëniet e kredive. Të dhënat tregojnë se bankat e nivelit të dytë janë të trembura nga thellimi i krizës dhe nga rënia e fuqisë së tyre për likuiditet, pavarësisht se niveli i depozitave krahasuar me kreditë është i lartë. Kriza financiare në vendet e huaja e ka të vështirë të prekë drejtpërsëdrejti sistemin bankar të vendit tonë, pavarësisht se shumë banka të këtushme janë degë të bankave të huaja. Banka e Shqipërisë iu ka kërkuar atyre që të mos e ndajnë fitimin tek aksionerët, domethënë të mos e nxjerrin jashtë vendit, por ta ruajnë si kapital të bankës. Ky kapital do të jetë një mjet më shumë në përballimin e krizës. Rënia e kredive për ekonominë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të shkuar dhe theksimi i kahjes rënëse gjatë muajit të parë të këtij viti janë ndër efektet më me pasoja për ekonominë e vendit. Dje, guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane, Trichet, u shpreh i alarmuar për krizën ekonomike globale, e cila, sipas tij, do të jetë shumë e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›